Nga Johana Lubonja
Disa ditë më parë agjencia BIRN bëri një fiasko të fortë kur publikoi një shkrim të firmosur nga Ola Xama. Termi fiasco është më dashamiri i mundur, pas një hulumtimi shterrues në dy dosje penale të plota:
- a) kërkesa për heqjen e imunitetin të Arben Ahmetajt
- b) kërkesa për sekuestron e inceneratorit të Tiranës
Për ta kuptuar fiaskon më mirë, do marrim me radhë pretendimet kryesore të kësaj mediaje, e cila ka patur deri vonë një emër të mirë, të errësuar së fundmi shumë, pasi Dritan Goxhaj zbuloi se dy gazetarë të saj janë përdorur nga shërbimi sekret serb për të amplifikuar sajesën e famshme të “shtëpisë së verdhë”.
Pretendimi kryesor i BIRN dhe Xamës në rastin me kryebashkiakun Veliaj ishte se, sipas tyre, Veliaj kishte iniciuar procedurën për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Gazetarja Ola i referohej 5 faqeve nga dosja Ahmetaj pasi në momentin kur e publikoi shkrimin aq dispononte. Një burim pranë BIRN konfirmoi për DITA se gazetarja Xama i kishte siguruar këto pesë copa letrash nga deputetja Jorida Tabaku, pasi kjo e fundit dështoi me komisionin hetimor që kryesonte për të vërtetuar implikim të Veliajt në aferën e inceneratorëve.
Ishte një transferim fiaskosh nga Tabaku te gazetarja Ola.
Pretendimi i saj në shkrimin e publikuar nga BIRN se Veliaj kishte iniciuar procedurat për inceneratorin, veç qëllimit politik, zbuloi dhe mungesë të plotë informimit.
Autores do t’i kishte mjaftuar të ndiqte seancën e marrjes në pyetje të Veliajt në Komisionin Hetimor “Tabaku”, për të kuptuar se kjo çështje ishte ezauruar. Po e shpjegojmë thjeshtë:
Sipas gazetares, kryebashkiaku Veliaj përdori si artificë propozimin e projektit amerikan të IFC-së, që pastaj qeveria ta konvertonte nismën për të ndërtuar inceneratorë. Në shkrimin dhe më pas në qëndrimet publike të gazetares, shtrohej pyetja nëse do ndërtohej dot inceneratori nëse Veliaj s”do e kishte bërë këtë propozim për landfill.
Por ajo që fshihte ose nuk e dinte gazetarja, është fakti se propozimi i Veliajt bazohet pikërisht në konkluzionet e raportit të IFC-së.
Ky raport kishte dy konkluzione kryesore:
- Konkludonte se afati final për administrimin e ri të landfillit të Sharrës ishte viti 2015, ndryshe Tirana kalonte në kolaps mjedisor.
- Kostoja për landfillim dhe kapsulim ishte 37 euro/ton.
Këto dy të dhëna janë shumë të rëndësishme, ndaj do u referohemi dhe në vijim.
Afati për ndërhyrje në landfill deri në vitin 2015, e vendos Veliajn në fakt në kushtet e vonesës, në propozimin që ka bërë. Duhej ta kishte propozuar projektin e IFC-së për zbatim në qeveri në mënyrë urgjente që në vitin 2015-të dhe jo në 2016-ën.
Pra Veliaj mund të akuzohet se propozoi me disa muaj vonesë vënien në jetë të projektit të ekspertëve ndërkombëtarë të IFC-së, krejt e kundërta nga çfarë e akuzon dhe aludon autorja Ola dhe BIRN. Në asnjë rrethanë nuk e akuzon dot Veliajn, si iniciator dhe nxitës me iniciativë private i një procedure që përfundoi me kontratë incenerimi.
Ky është thelbi dhe pika kycce e mashtrimit të shkrimit të BIRN.
Vazhdojmë me procedurën:
Pasi Veliaj e propozon projektin me kosto 37 euro/ton të IFC në 2016-ën, ministrat Cani dhe Ahmetaj e godasin projektin amerikan si shumë të kripur në kosto dhe të paleverdisshëm.
Sipas tyre ishte kosto tepër e madhe 37 euro/ton vetëm për landfillim dhe kapsulim të mbetjeve. Me sa duket ekspertët amerikanë të IFC kishin të tjera premisa në mënyrën dhe seriozitetin se si duheshin menaxhuar mbetjet.
Pastaj Arben Ahmetaj bën rokadë me Shkëlqim Canin dhe bëhet ministër j Financave dhe menjëherë ai krijon një triumvirat ministrish që do të menaxhonin problemin e mbetjeve në Tiranë: Ministria e Financave, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës.
Ky triumvirat pas pak javësh kaloi në fazën tjetër, ku vendosi që të vlerësonte mundësinë e dhënies me koncension PPP të menaxhimit dhe vlerësoi ofertën Zoto-Mërtiri, ky i fundit mik dhe ortak biznesi i Ahmetajt prej shumë vitesh.
Në këtë pikë vlen të vendosim disa piketa:
– Konceptuese dhe gardiane të procesit ishin tre ministritë
– Autoritet Kontraktor ishte ministria e Mjedisit.
– Bashkia e Tiranës ishte kliente e koncensionit që do të operonte dhe në fazën e shqyrtimit të propozimit të ardhur nga Mërtiri-Zoto-Koka, do të ishte e përfaqësuar në komisionin e posaccëm për dhënien e këtij koncensioni.
Në fakt roli i Bashkisë është që t’I çojë kamionët me mbetje deri te dera e koncensionit, t’i peshojë e të dokumentojë dërgesën, se çfarë ndodh më pas nga mbrapa derës së koncensionit, është totalisht një përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit.
Kritikët dhe antagonistët e Veliajt kanë theksuar një shkresë të këtij të fundit ku shprehet “parimisht dakord” në emër të Bashkisë në lidhje me ofertën e propozuar nga Ministria e Mjedisit për ndërtimin e inceneratorit, si fazë e fundit e një procesi të sistemimit të Sharrës.
Kjo shkrese e famshme, e cila mban logon dhe vulën e Bashkisë, ishte dhënie dakordësie në parim nga kjo Bashki për një projekt të ri që kushtonte 29 euro/ton.
Në këtë pikë lind një pyetje për kritikët: Si mund të mos bjerë dakord një bashki për koston 29 euro/ton, ndërsa po vetë kjo bashki kishte propozuar zgjidhjen e IFC-së me 37 euro/ton? Çfarë duhej të bënte Veliaj? Të mos binte parimisht dakord me një ofertë 33% më të leverdishme? (!)
Kjo pikë është dhe fiaskoja e dytë e gazetares Ola dhe medias BIRN të cilat konsiderojnë si tepër të lartë koston 29 euro/ton sepse sipas tyre kjo kosto duhet të përfshijë dhe incenerimin dhe jo vetëm landfillimin.
BIRN dhe Ola Xama kanë të gjithe mundësitë që të pyesin ekspertët e IFC apo kompani të specializuara në këtë fushë se sa janë kostot e ngjashme në projekte të ngjashme në vende të tjera dhe më pas të krahasojnë këto projekte me mënyrën se si është përcaktuar trajektorja e pagesës në projektin e Tiranës. Nuk kanë bërë asnjë gjë të tillë. Thjesht kanë thënë se kjo kosto neve na duket shumë se kështu themi ne, se kështu duam ne.
Por le të vazhdojmë me procedurën.
Pasi u themelua komisioni i përbashkët me dhënien me koncension, pati debate nëse aprovimi i Bashkisë do duhej të kalonte nga Këshilli Bashkiak.
Mirëpo këtu, mjeshtrat e BIRN kanë neglizhuar një detaj tepër të rëndësishëm.
Gjatë punës së këtij komisioni u zbulua se në kadastër prona e fushës së Sharrës ishte pronë shtet, pra ishte pronë e qeverisë dhe jo e pushtetit lokal, jo e Bashkisë së Tiranës. Kjo bashki e kishte thjesht në përdorim. Çka do të thotë se Këshilli Bashkiak nuk ka asnjë tagër të vendosë mbi mënyrën e zhvillimit të kësaj prone, sepse nuk është as pronare e truallit dhe as autoritet kontraktor. është thjesht klient.
Ajo çfarë Bashkia e Tiranës do të duhej të shprehej me vendim të Këshillit Bashkiak, ishte qëndrimi mbi shtesat në buxhet që kërkonte ky projekt që bashkia të përballonte kostot.
Këshilli Bashkiak i Tiranës e ka marrë këtë vendim në shtator 2017, pasi Ministria e Mjedisit kishte lidhur kontratë me koncensionarin në gusht. Në këtë pikë vlen të theksohet një detaj interesant.
Kur Arben Ahmetaj u pyet në Komisionin Parlamentar Hetimor “Tabaku” ai këmbënguli se kryetarja e komisionit Jorida Tabaku po ngatërronte sipas tij dy nocione “buxhetin” me “transfertën”. Buxheti është i kyçur, – thoshte Ahmetaj – dhe nuk ndryshon, ndërsa transferta (nga qeveria drejt Bashkisë) është e lirë të pakësohet ose zmadhohet. Sipas tij nuk kishte nevojë fare për vendim të Këshillit Bashkiak sepse bëhej fjalë për një marrëdhënie transferte dhe jo për një kyçje buxhetore.
BIRN dhe gazetarja nuk e kanë konsideruar në asnjë moment këtë shpjegim të dhënë nën betim nga autoriteti më i lartë përgjegjës i financave të vendit dhe këtij koncensioni.
Kjo është fiaskoja e tretë e tyre, pasi shqyrtimi i marrëdhënies së Bashkisë si kliente me një skemë komplekse koncensioni që përfshin tre ministri, kërkon një analizë financiare shumëplanëshe, sidomos kur në kushtet e pamundësisë së buxhetit bashkiak futet në lojë qeveria me sistem transfertash.
Nga sa më sipër, krahasimet elementare të pretendimeve të BIRN dhe Xamës me aktet hetimore dhe dëshmitë në komisionin kuvendor zbulojnë se në fakt kjo media dhe ljo autore, kanë kyer tre fiasko dhe kanë manipuluar në mënyrë mediokre.
Ndaj dhe zoti Veliaj mund të akuzohet se ka gabuar kur e ka quajtur gazetaren “Vrasëse me pagesë”. Kjo shprehje, që zemëroi dhe parimorin Gutierez që e ka burimin e informacionit te vilat e bëra me fondet e vjedhura të IPARD në Dhërmi, do kishte kuptim nëse autorja Ola do kishte realizuar një investigim që e vinte me shpatulla për murin Veliajn.
Kjo nuk ka ndodhur. Ndaj, në fakt, termi korrekt do duhej të ishte “Fiasko me pagesë”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e DITA