Vendosni fjalën kyçe....

Prokurorët në SHBA kërkojnë mbrojtjen e të dhënave të çështjes së Trump, pas postimit të tij në Truth Social


Prokurorët në Shtetet e Bashkuara i kërkuan të premten një gjykatëseje federale, që të marrë masa pas një postimi online të ish-presidentit Donald Trump që linte të kuptohej se do të hakmerrej ndaj kujtdo që e sulmon atë.

Prokurorët i kërkuan gjykatëses Tanya Chutkan në Uashington të nxjerrë një urdhër që do të kufizonte informacionin që zoti Trump dhe ekipi i tij ligjor mund të bëjnë publik lidhur me aktpadinë e prokurorit të posaçëm, Jack Smith, sipas së cilës ish-presidenti kishte kryer komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, për të shkelur të drejtën e amerikanëve për të votuar dhe penguar transferimin paqësor të pushtetit.

Ish-presidenti shkruajti të premten në platformën Truth Social: “NËSE VJEN PAS MEJE, UNË DO TË VIJ PAS TEJE!”.

Prokurorët e konsideruan mesazhin si kërcënues, duke argumentuar se ai sugjeron se zoti Trump mund të frikësojë dëshmitarët duke bërë publike të dhëna konfidenciale tek të cilat ai dhe ekipi i tij ligjor kanë qasje si pjesë e mbrojtjes për çështjen.

“Kjo mund të ketë një efekt të dëmshëm duke stepur dëshmitarët ose të ndikojë negativisht tek vendosja e drejtësisë në këtë rast,” shkruajnë prokurorët, duke vënë në dukje se zoti Trump vazhdimisht ka vënë në shënjestër gjyqtarë, prokurorë dhe dëshmitarë në raste të tjera kundër tij.

Zyra e prokurorit të posaçëm Smith tha se postimi i zotit Trump ngjall shqetësime se ai mund të bëjë publike materiale sekrete, të siguruara nga prokurorët.

Sipas procedurës gjyqësore, prokurorët duhet t’u japin të pandehurve materialet kundër tyre, në mënyrë që ata të përgatisin mbrojtjen e tyre.

Urdhri do të ndalonte ish-presidentin Trump dhe avokatët e tij të ndajnë çdo material të tillë me njerëz të paautorizuar.

Të shtunën, gjyqtarja Chutkan i dha afat zotit Trump deri të hënën në orën 5 pasdite që të përgjigjet.

Komentet e zotit Trump dhe kërkesa e prokurorëve erdhi një ditë pasi ish-presidenti deklaroi në gjykatë se ishte i pafajshëm ndaj aktpadisë lidhur me zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.

Në seancën e së enjtes, ish-presidenti u betua se nuk do të frikësonte dëshmitarët dhe nuk do të komunikonte me ta pa praninë e avokatëve.

Urdhra si ai që kërkojnë prokurorët janë rutinë në rastet që përfshijnë dokumente konfidenciale, por në kërkesën e tyre, ata thanë se ishte veçanërisht e rëndësishme të kufizohej përhapja publike duke pasur parasysh deklaratat e zotit Trump në mediat sociale.

Një zëdhënës i ish-presidentit Trump lëshoi një deklaratë duke mbrojtur postimin e ish-presidentit në rrjetet sociale.

“Postimi i përmendur (nga prokurorët) është një shembulli më i qartë i të shprehurit politik dhe ishte si reagim ndaj grupeve të pandershme të interesit”, thuhet në deklaratë.

Zoti Trump përballet edhe me sfida të tjera penale. Ai përballet me akuza federale në Miami për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra dhe pengimin e drejtësisë, si edhe akuza në shtetin e Nju Jorkut për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të fshehur pagesat ndaj një aktoreje filmash pornografikë të këmbim të heshtjes së saj.

Ai ka thënë se është i pafajshëm për këto akuza.

Në ditët në vazhdim prokurorët në shtetin e Xhorxhias pritet të njoftojnë nëse do të ngrenë aktpadi ndaj tij lidhur me përpjekjet e ish-presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në atë shtet.

Zoti Trump i ka quajtur të gjitha hetimet pjesë e një gjuetie politike shtrigash që synon të pengojë fushatën e tij të vitit 2024.

Megjithëse pozita e tij si kandidati kryesor republikan është forcuar, pavarësisht nga problemet ligjore, sondazhet e opinionit publik tregojnë se këto probleme përbëjnë rrezik për shanset e tij: rreth gjysma e republikanëve nuk do të votonin për ish-presidentin nëse ai do të dënohej për një vepër penale, sipas një ankete të Reuters/Ipsos që u mbyll të enjten.