Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Kulla një mal korrupsioni nga omerta e bashkëfajësisë mafioze, mbështjeje të plotë SPAK-ut


Kreu i PD-së Basha e ka quajtur ‘mal korrupsioni në qendër të Tiranës’ projektin e kullës pranë Teatrit të Operas e Baletit.

Në një shënim në Facebook ai theksoi se projekti është mbuluar nga ‘omerta’ e bashkëfajësisë mafioze e karshillëk ndaj institucioneve.

Basha thekson se kodi mafioz i heshtjes prodhon ekonomi të deformuar e gjymton konkurrencën e nismën e lirë.

“Mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i mbuluar nga “omertà” e bashkëfajësisë mafioze, është një karshillëk ndaj të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mos lejojnë që Shqipëria të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë dhe nga ana tjetër e shndërron vendin tonë në një ferr pandershmërie dhe pandëshkueshmërie për qytetarët që kërkojnë standarde europiane për të ndërtuar jetët e tyre dhe familjeve të tyre. Kjo “omertà”, ky kod i heshtjes, prodhon një ekonomi të deformuar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që gjymton konkurrencën, iniciativën e lirë, besimin te institucionet, të cilat shihen si legjitimuese të krimit dhe korrupsionit.” – tha Basha.

Basha shton në reagimin e tij se detyra e PD-së është mposhtja e heshtjes shurdhuese dhe mbështetja e PD-së për SPAK-un.

“Detyra jonë si Parti Demokratike është të mposhtim këtë heshtje shurdhuese që dëmton interesin publik, sa herë interesat e kastës 33 vjeçare bëhen bashkë si dy duar që lajnë fytyrat e nxira nga korrupsioni. Prandaj sot dua të përsëris mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike ndaj SPAK-ut, mbi të cilin bie barra e rëndë e hetimit dhe ndëshkimit të të gjithë atyre që e kanë kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave, e cila nuk dëmton vetëm ekonominë, por edhe trashëgiminë, kujtesën historike, hapësirën publike, të kthyera në plaçkë për fare pak njerëzve. Pastrimi i politikës përmes vetting-ut, është domosdoshmëri për t’i dhënë fund epokës së korrupsionit, që politikanët të mos jenë në shërbim të oligarkëve dhe interesave kriminale, por t’u shërbejnë qytetarëve dhe interesit publik.” – mbyll shënimin Basha.