Start-up kinez CellX hapi fabrikën e parë të mishit të kultivuar në Shanghai këtë javë në mes të përpjekjeve të qeverisë për të garantuar sigurinë ushqimore për 1.4 miliardë banorët e saj.
Fabrika ka një bioreaktor 2000 litra me kapacitet për të prodhuar një sasi deri në disa tonelata mish të kultivuar në vit dhe së shpejti do shtojë më shumë bioreaktorë.
Fabrika pilot përfaqëson një hap më afër sjelljes së mishit të kultivuar në tryezat e kinezëve përpara prodhimit në shkallë të gjerë, sipas bashkëthemeluesit dhe shefit të CellX, Ziliang Yang.
Një nga vendet më të mëdha të konsumit të mishit në Azi, Kina synon të gjejë burime të qëndrueshme të proteinave shtazore për të ushqyer popullsinë e saj dhe për të zvogëluar varësinë nga importet. Sipas një raporti të fundit të USDA, konsumi i mishit në Kinë është rritur ndjeshëm që nga vitet 1970 dhe mund të rritet më tej në dekadën e ardhshme.
Vitin e kaluar, Pekini shprehu mbështetje për zhvillimin e proteinave sintetike, duke përfshirë mishin e rritur në laborator, si një burim ushqimi si pjesë e planit të tij të 14-të pesëvjeçar të zhvillimit për bio-ekonominë.
Sipas Yang, objekti pilot do ndihmojë në uljen e kostos së prodhimit të CellX nën 100 dollarë për paund, duke e bërë atë konkurrues ndaj mishit premium.
Mishi i kultivuar prodhohet duke kultivuar drejtpërdrejt qelizat shtazore, duke eliminuar nevojën për të rritur kafshët për ushqim. Singapori ishte vendi i parë që lejoi shitjen e mishit të kultivuar në dhjetor 2020 dhe u pasua nga SHBA-ja.