Shefi i Neurokirurgjisë në spitalin e Traumës Fatos Olldashi ka dhënë hollësi lidhur me aksidentin e 16-vjeçarit ditën e djehme në Himarë, i cili pësoi dëmtime të rënda që mund të jenë të pariparueshme.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes kur shkojnë në plazh sidomos me motorët e ujit dhe hedhjet me kokë në cektina ose shkëmbinj.
Sipas tij në spital paraqiten shumë raste sidomos gjatë verës me dëmtime të rënda në kokë ose të shtyllës kurrizore.
“Kjo ngjarje ka ndodhur në ujë, pacienti ka rënë në ujë dhe presupozohet se ka ngelur dhe pa oksigjen. Kështu që janë kombinuar disa dëmtime me këtë pasojë me një enjtje shumë të rëndë të trurit e cila në këtë situate të jep shumë pak shpresë jete. Në spitalin e Traumës paraqiten ato pacientë që kanë dëmtime të rënda siç janë rastet e ndodhura së fundmi. Kryesisht janë dëmtime të shtyllës kurrizore dhe këto hedhjet në ujë, hedhjet në cektinë. Sfidat e mëdha që bëjnë të rinjtë pësojnë dëmtime në pjesën e qafës, për shkak të presionit që ka nga forca e shtytjes që ka koka në një pjesë të forte, Ndodh që kjo force të transmetohet në qafë dhe kemi dëmtime të kockave të qafës e shtyllës kurrizore dhe në disa raste dëmtime të palcës së kurrizit me pasojë dëmtime neurologjike që mund të shkojnë deri në paraliza dhe rrezik për jetën. Pjesa më e madhe janë të riparueshme, por ka dhe raste fatkeqe të cilat bëjnë që të rrezikohet jeta apo të kemi invaliditetet të përhershëm dhe kur kemi dëmtime të qafës, invaliditeti është shumë i rëndë. Bëhet fjalë për tetraplegjikët.” – tha Olldashi shkruan Shqiptarja.