Fati i centralit bërthamor në mes të luftës më të madhe në Evropë në dekadat e fundit, ka ngritur shqetësime të mëdha qëkur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës gati 18 muaj më parë.
Frika për ndonjë fatkeqësi nuk është zbutur, pasi luftimet po rriten jo shumë larg centralit.
Më 10 gusht, linja kryesore e rrymës në centralin bërthamor në Zaporizhja u shkyç dy herë, duke e detyruar atë të mbështetet vetëm në linjën e fundit të rrymës jashtë zonës.
Linja kryesore u kyç përsëri kah mbrëmja. Ndërkohë, ministri i Energjisë i Ukrainës foli për rrezikun e një shkrirjeje bërthamore.
A është pushtimi rus i Ukrainës gati të shkaktojë katastrofë bërthamore?
Steven Nesbit, një veteran i industrisë së centralit bërthamor, i cili ishte president i Shoqërisë Bërthamore Amerikane më 2021/22, tha për Radion Evropa e Lirë se centrali bërthamor i Zaporizhjas është në rrezik që nga fillimi i pushtimit rus. Por, dështimi i linjës së rrymës jashtë zonës nuk e bëri vlerësimin e gjendjes nga ai më të keqe seç ka qenë.
“Nuk shoh asgjë të re tani që duhet t’i shqetësojë vërtet njerëzit për gjendjen tashmë të padëshirueshme”, tha ai, duke shtuar se linjat e rrymës jashtë zonës janë shkyçur më herët për shkak të luftës.
“Nuk do të habitesha nëse do të ndodhte përsëri, por humbja e njërës prej linjave të rrymës për një periudhë kohore nuk është arsyeje për shqetësim të panevojshëm”, tha Nesbit, përcjell REL.
Enerhoatom, kompania shtetërore e Ukrainës për prodhimin e rrymës, ishte e para që e ngriti alarmin më 10 gusht, duke thënë se centrali bërthamor ishte “buzë një terri tjerë”, pasi linja kryesore e tensionit të lartë ishte shkyçur, duke i detyruar operatorët të përdornin linjën mbështetëse 330-kilovatësh
Në një komunikatë për media ditën e njëjtë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA), tha se linja kryesore 750-kilovatësh, ishte shkyçur dy herë që nga mëngjesi i hershëm dhe kishte mbetur i shkyçur deri në mbrëmje. Centrali duhej të mbështetej “në linjën e vetme të mbetur jashtë zonës, linjën mbështetëse 330-kilovatësh, për t’u furnizuar me rrymën e nevojshme, për shembull, për kryerjen e funksioneve të sigurisë, siç është pompimi i ujit të ftohtë për centralin”.
Ministri i Energjisë, Herman Halushchenko, tha se centrali ishte “një hap larg territ – kjo nënkupton, humbjen e plotë të rrymës së jashtme” dhe tha se kjo mund të çojë drejt një “katastrofe të madhe”.
Centrali do të nisë operimin me gjeneratorë me naftë, nëse nuk furnizohet më me rrymë nga jashtë, por nëse gjeneratorët dëmtohen nga ndonjë sulm rus, tha ai, “ftohja e centralit do të ndalej dhe do të fillonte ngrohja dhe shkrirja e pakthyeshme e karburantit bërthamor”.
“Mendoj se kjo është paksa alarmuese”, tha Nesbit më 11 gusht.
Ditën e njëjtë, Enerhoatom tha në Telegram se linja kryesore e centralit bërthamor u kyç përsëri natën e kaluar, pasi ishte prishur nga zjarri rus
Gjeneratorët me naftë janë të mbrojtur mirë dhe kanë mjaftueshëm naftë për të prodhuar rrymë për ta mbajtur ndezur sistemin ftohës për një periudhë të zgjatur kohore, derisa të rikthehen burimet e jashtme, tha Nesbit.
“Gjashtë njësitë mund ta ndajnë rrymën mes vete. Është një sistem i sigurt dhe fleksibil”, tha ai.