Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania përballet me rritje shumë të ulët ekonomike – Bundesbank


Prodhimi ekonomik gjerman ngeci në tremujorin e dytë të vitit 2023 pas tkurrjes në dy tremujorët e mëparshëm dhe rritja pritet të mbetet e ulët në një afat të afërt, raportoi Bundesbank.

“Prodhimi ekonomik ka të ngjarë të ngecë pak a shumë përsëri në tremujorin e tretë të 2023,” shkroi Banka Qendrore në një raport mujor.

Sipas parashikimit, prodhimi industrial pritet të mbetet i dobët, pasi kërkesa e huaj ka qenë në një prirje rënëse së fundmi.

“Kostot e larta të financimit ndoshta do vazhdojnë të peshojnë mbi investimet. Ata gjithashtu po e zbehin kërkesën në sektorin e ndërtimit, e cila ka të ngjarë të pasqyrohet gjithnjë e më shumë në prodhim”, deklaroi rregullatori gjerman.

Bundesbank tha gjithashtu se qeveria gjermane do regjistrojë një deficit të konsiderueshëm në vitin 2023, pasi ajo vazhdon të ofrojë mbështetje të gjerë në lidhje me krizën për ndërmarrjet dhe familjet, kryesisht duke përdorur frenat e çmimit të energjisë.

Nga ana pozitive, raporti parashikoi se për shkak të punësimit të qëndrueshëm dhe rritjes së fortë të pagave, si dhe rënies së inflacionit, rimëkëmbja e konsumit privat ka gjasa të vazhdojë, gjë që do t’i japë një shtysë edhe sektorit të shërbimeve.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi muajin e kaluar se Gjermania do të jetë e vetmja ekonomi e G7 që do të tkurret këtë vit, pasi ajo lufton me pasojat e krizës energjetike.