Vendosni fjalën kyçe....

Boçi: Rama nuk mban përgjegjësi penale dhe as politike. Do shpenzojë 113 mln euro ekstra për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit


Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, në një deklaratë për mediat foli për inceneratorë e Elbasanit dhe Fierit.

Boçi u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk po mban përgjegjësi penale dhe as politikë në lidhje me inceneratorin e Elbasanit dhe se do të shpenzojë edhe 113 mln euro ekstra për plehrat në Elbasan dhe Fier.

Deklarata: 

Edi Rama ka filluar t’i shpenzojë që tani 7 miliardët imagjinarë që po nxjerr nga nëntoka në Shpirag.

Për dy vitet e ardhshme ai ka vendosur të japë edhe 113 milionë euro ekstra për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Fierit dhe Elbasanit. E ritheksojmë: për Elbasanin dhe Fierin, pjesë e paketës gjysmë miliard euro të incineratorëve. Pa pyetur për faktin kokëfortë se koncesionet e mëparshme prej 50 milionë eurosh për ndërtim inceneratorësh janë nën gjykim për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Pa çarë kokë për dështimin e kalimit nga riciklimi i mbetjeve te incenerimi, qeveria ka hartuar dokumentin e “Politikave Prioritare” për periudhën 2024-2026, ku liston si projekte “unike me rëndësi kombëtare”, krijimin e zonave funksionale për mbetjet në Elbasan dhe Fier.

Për Elbasanin parashikohen t’i falen dreqit 50.1 milionë euro, ndërsa për Fierin 63 milionë.

Nëse e pyet se çfarë është kjo marrëzi ai shmanget, siç bëri të mërkurën përballë gazetarëve.

Ajo çka e bën tragjike dhe komike këtë projekt me rëndësi kombëtare, siç e quan qeveria, është fakti se është përgatitur nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe koordinimit te Ndihmës (SASPAC), në varësi direkte të Kryeministrit, që drejtohet nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.