Vendosni fjalën kyçe....

Autoritet ruse konfirmojnë vdekjen e Prigozhin në aksidentin ajror


Komiteti Hetues i Rusisë ka konfirmuar vdekjen e Evgeny Prigozhin, shefit të kompanisë private ushtarake Wagner Group, në një aksident ajror në fillim të kësaj jave.

Testimi i ADN-së tregon se të gjithë ata që ishin në listën e fluturimit ishin me të vërtetë në bord, tha Komiteti Hetues.

Avioni privat me të cilin udhëtonte Prigozhin dhe 9 persona të tjerë, tre prej të cilëve anëtarë të ekuipazhit, u rrëzua mbrëmjen e 25 gushtit teksa fluturonte nga Moska drejt Shën Petersburgut.

Mes viktimave ishte edhe themeluesi e krahu i djathtë i Prigozhin, Dmitry Utkin si dhe truprojet e tyre e një officer ushtarak.

Pas rrëzimit të aeroplanit, faqet në rrjetet sociale të lidhura me grupin Wagner akuzuan Moskën se kishte goditur avionin e Prigozhin me raketë.

Ndërsa një tjetër teori për rrëzimin  e avionit është se brenda tij ka qenë vendosur bombë. Edhe pse së fundmi kishte deklarata nga pjesë të Wagner se ata do hakmerreshin për vdekjen e Prigozhin, ditën e djeshme presidentit rus Putin nxorri urdhrin që detyron grupin Wagner të betohet për besnikëri ndaj Rusisë.

Prigozhin, i cili thirrej edhe si kuzhinieri i Putinit, për shkak se kompanitë e tij të kateringut fituan kontrata të majme me Kremlinin, nisi një rebelim të armatosur në 23-24 qershor ndaj krerëve të ushtrisë ruse të cilët i akuzonte për moskompetencë në drejtimin e trupave dhe se po dëmtonin Rusinë me vendimet e tyre.

Ai i akuzoi ata se kishin lënë pa armë e mbështetje trupat Wagner në frontin ukrainas si dhe për bombardimet që vranë disa ushtarë të tij. Pasi mori nën kontroll qytetin Rostov on Don, ai marshoi drejt Moskës po u ndal në mes të rrugës pas ndërhyrjes së presidentit bjellorus Lukashenko.

Si pjesë e marrëveshjes, Prigozhin e trupat Wagner u zhvendosën në Bjellorusi megjithatë vendndodhja e Prigozhin nuk është ditur me siguri që atëherë.

Ditët e fundit ai u shfaq me uniformë ushtarake në Afrikë duke thënë se po punonte për ta bërë Rusinë edhe më të madhe. Pas rrëzimit të avionit të Prigozhin, presidenti rus Putin tha se ai i kishte bërë shumë shërbime Rusisë po kishte bërë disa gabime serioze.

Sipas SHBA-së, Prigozhin është vrarë nga autoritetet ruse në shenjë hakmarrjeje ndaj rebelimit të qershorit.