Vendosni fjalën kyçe....

Franca do mbështesë çdo veprim ushtarak kundër qeverisë ushtarake puçiste të Nigerit – Macron


Parisi do mbështesë çdo veprim ushtarak nga Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) në Niger për të rivendosur sundimin e liderit të rrëzuar Mohamed Bazoum, ka thënë presidenti francez Emmanuel Macron.

Macron e bëri komentin në përgjigje të dëbimit të ambasadorit francez Sylvain Itte nga Niamey nga qeveria e re ushtarake që mori pushtetin në një grusht shteti muajin e kaluar.

Ministria e Jashtme e Nigerisë tha të premten se ambasadri francez kishte 48 orë për t’u larguar nga vendi për kundërshtimin e takimit me sundimtarët e rinj ushtarakë dhe për ‘veprime të tjera të qeverisë franceze në kundërshtim me interesat e Nigerit’.

Duke folur me diplomatët në Paris për politikën e jashtme franceze të hënën, Macron deklaroi se, pavarësisht urdhrit të udhëheqësve të grushtit të shtetit, ambasadori do qëndronte në Niger.

“Franca dhe diplomatët e saj janë përballur me situata veçanërisht të vështira në disa vende në muajt e fundit, nga Sudani, ku Franca ka qenë shembullore, në Niger pikërisht në këtë kohë dhe unë duartrokas kolegun tuaj dhe kolegët tuaj që po qëndrojnë në vendet e tyre të punës.” tha Macron.

Blloku rajonal i Afrikës Perëndimore, ECOWAS, është përpjekur të negociojë me udhëheqësit e grushtit të shtetit të Nigerit, por ka paralajmëruar se, nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, do dërgojë trupa  ushtarake në Niamey për të rivendosur sundimin demokratik.

Macron e quajti vendimin e Bazoum për të mos dhënë dorëheqjen, ‘të guximshëm’ të hënën.

Franca nuk do ndryshojë qëndrimin e saj për dënimin e grushtit të shtetit dhe mbështetjen e Bazoum, këmbënguli presidenti francez, duke theksuar se lideri i rrëzuar ishte zgjedhur në mënyrë demokratike.

“Mendoj se politika jonë është e duhura. Ajo bazohet në guximin e presidentit Bazoum dhe në  zotimet e ambasadorit tonë në terren, i cili po qëndron aty me gjithë presionin, pavarësisht nga të gjitha deklaratat e bëra nga autoritetet jolegjitime”, tha Macron.