Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, propozimi i Michel – Financial Times


Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, do deklarojë se BE-ja duhet të përqendrohet te zgjerimi si një nga qëllimet e saj strategjike në vitet e ardhshme, sipas Financial Times.

E përditshmja britanike pretendon se ka marrë një vrojtim ekskluziv të asaj që shefi i Këshillit do propozojë në një fjalim në Slloveni të hënën. Michel thuhet se do i bëjë thirrje bllokut që të jetë gati për të shtuar anëtarë të rinj deri në vitin 2030 ndërsa ‘dritarja e mundësive është e hapur’.

“Nëse duam të jemi të besueshëm, duhet të flasim për kohën,” thuhet në shënimet e fjalimit të Michel, sipas FT.

“Ndërsa përgatisim axhendën e ardhshme strategjike të BE-së, duhet t’i vendosim vetes një objektiv të qartë…duhet të jemi gati, nga të dyja palët, deri në vitin 2030 për t’u zgjeruar.”

“Tani duhet ta trajtojmë zgjerimin si një nga sfidat tona kryesore. Si për BE-në ashtu edhe për shtetet e saj të ardhshme anëtare”, supozohet se do u thotë të pranishmëve në Forumin Strategjik të ‘Bled’, presidenti i Këshillit Evropian ku marrin pjesë drejtues nga vendet kandidate për në BE si Moldavia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja & Hercegovina.

Pritet që drejtuesit e BE-së të zhvillojnë diskutimin e tyre të ardhshëm mbi zgjerimin në fillim të tetorit në një samit në qytetin spanjoll të Granadës. Megjithatë, siç theksohet nga FT, disa në bllok janë të shqetësuar se kalimi nga 27 shtete anëtare në mbi 30 mund të sjellë një tendosje të konsiderueshme në buxhetin e BE-së dhe të ndërlikojë politikën bujqësore, ndihmën rajonale dhe proceset e vendimmarrjes.

Vitet e fundit, Brukseli ka pranuar zyrtarisht Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë si vende kandidate dhe ka nisur një debat nëse do lejojë që tetë të tjerë të bashkohen në të ardhmen e parashikueshme.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani