Vendosni fjalën kyçe....

Trazirat e tifozëve në sfidën ndaj Besiktas i kushton rëndë Tiranës, gjobitet nga UEFA


UEFA ka dënuar me 18.750 euro Tiranën, për trazirat e krijuara në ndeshjen kundër Besiktas, e vlefshme për turin e dytë të Conference League.

 Në “Air Albania”, të dyja tifozeritë u përplasën me njëra tjetrën, me ndeshjen që nisi me 14 minuta vonesë.

Për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushë, pushtimt të fushës së lojës, bllokimit të kalimeve publike apo edhe mjetet piroteknike të hedhura në fushë, Tirana u gjobit nga UEFA.

Në fillimin e ndeshjes, tifozët e të dyja skuadrave u përfshinë në një sherr masiv. Gjatë sherrit, në fushë janë hedhur sende të forta, si dhe janë dëmtuar një pjesë e stolave të stadiumit. Për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike, arbitri ka shtyrë fillimin e ndeshjes.

Incidentet ndodhën edhe në fund të lojës. Jashtë stadiumit, tifozët janë përplasur sërish duke dëmtuar edhe një automjet.

Pas përfundimit të ndeshjes, Policia e Tiranës shoqëroi 14 persona nga të dyja skuadrat. Disa prej tyre përballen me kallëzime penale për dhunë dhe dëmtim të pronës. Disa prej tifozëve të arrestuar nga policia u konstatuan se posedonin armë dhe mjete piroteknike.