Vendosni fjalën kyçe....

Pasaporta serbe për shtetas rusë, KE: Ndryshimet në ligjin për shtetësinë në Serbi, paraqesin rrezik për sigurinë e BE-së


Rritja e numrit të rasteve të dhënies së shtetësisë së Republikës së Serbisë me procedurë të shpejtë qytetarëve nga Rusia, ka nxitur shqetësim në Bashkimin Evropian (BE). Në BE këtë e shohin edhe si rrezik në aspektin e sigurisë pasi qytetarët që posedojnë pasaporta të Serbisë mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian, duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë ka rikujtuar se Serbia, sikurse edhe vendet tjera të rajonit, duhet ta përshtatë politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.

“Komisioni Evropian është në dijeni për numrin e madh të shtetasve të Rusisë që janë vendosur në Serbi pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Si nga një vend kandidat, nga Serbia pritet që në mënyrë progresive të përshtatet me politikat dhe vendimet e Bashkimit Evropian. Komisioni është duke monitoruar me kujdes situatën dhe duke shkëmbyer informatat me autoritetet e Serbisë lidhur me praninë e shtetasve të Rusisë në Serbi”, ka thënë ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.

BE-ja vazhdimisht ka kërkuar nga Serbia që të marrë parasysh shqetësimet e Brukselit dhe vendeve anëtare për rrezikun potencial që mund të krijojë prania e shtetasve të Rusisë në Serbi, e sidomos nëse ata do të pajisen me dokumente që iu mundësojnë udhëtim të papenguar në vendet e Bashkimit Evropian.

“Komisioni Evropian ka shprehur shqetësimin e vet për shkak të ndryshimeve të planifikuara në Ligjin për shtetësinë në Serbi dhe rrezikun politik dhe të sigurisë që paraqet për BE-në, duke marrë parasysh se shtetasit e Serbisë gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza në BE. Komisioni Evropian ka kërkuar nga Serbia që t’i marrë parasysh këto shqetësime”, ka deklaruar ky zëdhënës i BE-së.

“Sipas propozimit për ligjin e ri për shtetësinë, në Serbi do të thjeshtëzohej procedura për dhënien e shtetësisë pas një qëndrimi të shkurtër kohor. Përmes procedurës së thjeshtësuar, qytetarët e vendeve të treta, të cilët në rrethana tjera do të kishin nevojë për vizë për të udhëtuar në BE, do të kenë mundësi të lëvizjes së lirë”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian thotë se do t’i vazhdojë kontaktet me autoritetet e Serbisë lidhur me këtë çështje.

Sipas një analize që ka bërë Radio Evropa e Lirë, në shtatë muajt e parë të këtij viti numri i qytetarëve rusë që kanë marrë shtetësi në Serbi, është sa numri gjatë tërë vitit 2022.

Ndërsa, numri i qytetarëve nga Rusia që u pajisën me shtetësi serbe me procedurë të thjeshtëzuar, është më i maadh sesa numri i të gjithë shtetasve të huaj së bashku.

Në vitin e pushtimit rus të Ukrainës, qindra mijëra rusë kërkuan qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Serbi.

Në vitin 2022, numri i shtetasve rusë që morën pasaportë serbe u trefishua në krahasim me vitin para pushtimit.

Ky trend vazhdoi edhe në vitin 2023.