Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti Ministren e Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly, e cila zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Përgjatë takimit me Joly, Veliaj tha se ndihet krenar për bashkëpunimin mes dy vendeve, sidomos për marrëveshjet e përbashkëta, si ajo për njohjen e pensioneve.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Ministrja e Jashtme e Kanadasë është në Tiranë. Disa nga punët që i kemi nisur me qeverinë e Edi Ramës disa vite përpara, si marrëveshja e pensioneve, sot janë të kryera. Por, sa më shumë punë të bëjmë, aq më shumë na shtohet dëshira për shumë punë të mira. Jam vërtet mirënjohës sepse Kanadaja ka hapur shtëpinë për mijëra qytetarë shqiptarë. Ata janë integruar, kanë përparuar dhe janë bërë histori suksesi atje. Nuk e di nëse kjo do të ndodhte në çdo vend tjetër. Fakti që këto histori suksesi ndodhin në Kanada është një kompliment për Kanadanë,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku i dhuroi ministres kanadeze “Çelësin e Qytetit”, u shpreh i lumtur edhe për bashkëpunimin në nivel lokal.
“Ashtu si dy udhëheqësit tanë, kryeministri Rama dhe kryeministri Trudeau, kanë një raport të veçantë, unë besoj se duhet ta thellojmë edhe më shumë raportin mes qyteteve dhe njerëzve. Mezi pres të jem shumë shpejt në Kanada dhe të kemi këtë raport mes kryetarëve të Bashkive,” deklaroi Veliaj.
Ministrja e Jashtme e Kanadasë falenderoi kryebashkiakun Veliaj për pritjen. “Jam shumë e kënaqur për këtë dhuratë të mrekullueshme! Faleminderit për udhëheqjen tuaj fantastike, si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Jam e bindur se kanadezët, por edhe ata me origjinë shqiptare, janë jashtëzakonisht krenarë që po marrim këtë dhuratë fantastike,” tha Joly.