Vendosni fjalën kyçe....

Shenjtërimi i Nënë Terezës, presidentja Osmani: Vlerë kombëtare për gjithë shqiptarët kudo janë


Sot është dita e shenjtërimit të Nënë Terezës. Në këtë ditë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ishte në mjediset e Presidencës në ekspozitën në nder të saj.

Gjatë fjalës së saj në nder të kësaj dite, 7 vjetorit të shenjtërimit, ajo tha se gjurmët e Nënë Terezës kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në mbarë botën në të mirë të njerëzimit.

Presidentja Osmani tha gjithashtu se veprimtaria e saj është një testament për brezat që do vijnë. Në fund ajo theksoi se shqiptarët do e ruajnë e trajtojnë si vlerë kombëtare figurën e saj kudo janë.

“Jam e nderuar që ndodhem këtu në ditën e Nënë Terezës, ekspozitë që prezantojnë një pjesë të dokumenteve nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës. Puna dhe përkushtimi saj vetëmohues në funksion të së mirës kanë lënë gjumë të pashlyeshme kudo në botë. Kjo ekspozitë është një udhëtim në faqet e historisë të jetës së saj personale por edhe njerëzve në përgjithësi, duke e ditur që ajo ishte e të gjithëve edhe për të gjithë, trashëgimia e saj vijon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin. Këto dokumente dëshmojnë se Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra. Vepra e saj karakterizohet me angazhim të pashoq për të mirën e njerëzimit. Kjo trashëgimi është jo vetëm në funksion të kujdesit ndaj veprimtarisë së saj por edhe një testament për brezat që vijnë. Ajo na mësoi se mirësia dhe veprat e mira kanë fuqi të madhe për ta transformuar jetën e njerëzve. Trashëgimia e saj është një kujtesë e fuqisë së dashurisë dhe shpirtit human, figurën e Nënë Terezës ne do ta vazhdojmë ta ruajmë dhe trajtojmë si vlerë kombëtare për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Këto dokumente janë një dedikimi vogël për punën e madhe të saj. Siç thoshte Nënë Tereza: “Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit. E kujtofshim përjetë Nënë Terezën tonë.” – tha Osmani.