Vendosni fjalën kyçe....

3 vende bosh në KLP, shpallen emrat e 7 prokurorëve që synojnë të garojnë


Janë zbardhur emrat e prokurorëve që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Janë gjithsej 7 emra që janë në garë për 3 vende bosh. Prokurorët që kanë shprehur interes janë Moisi Duda, Afërdita Ndoi, Edina Kurti, Edlira Bako, Elsa Miha, Olgert Eminaj e Vatë Staka.

Brenda shtatët ditësh pritet që administrate e KLP-së të shpallë kandidaturat zyrtare pas shqyrtimit të dokumentacionit përkatës.

Njoftimi i KLP-së

“Ka përfunduar procedura e shprehjes së interesit për kandidatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, përkatësisht shtatë kandidatë për tre vende vakante.

Në përfundim të afatit ligjor për shprehjen e interesit për kandidatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, shprehën interes dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar prokurorët nga Prokuroritë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit si më poshtë:

Z.Moisi Duda, prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm;

Znj. Afërdita Ndoi, prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm;

Znj. Edina Kurti, prokurore në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës;

Znj. Edlira Bako, prokurore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan;

Znj. Elsa Miha prokurore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;

Z.Olgert Eminaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë; dhe

Z.Vatë Staka, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.

Për 3 pozicionet vakante në KLP, në 2 prej tyre mund të zgjidhen prokurorë të shkallës së parë, dhe në 1  pozicion, mund të zgjidhen prokurorë të prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Administrata e Prokurorisë së Përgjithshme, brenda 7 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e kërkesës dhe dokumentacionit përkatës, kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe shpall kandidaturat në faqen zyrtare.”