Vendosni fjalën kyçe....

U filmuan duke u kujdesur për bimët narkotike në Lukovë, arrestohen dy persona, shpallet në kërkim një tjetër


Një operacion anti-kanabis është finalizuar nga policia në Himarë.

Pas një hetimi dymujor, me metoda proaktive dy persona u arrestuan për kultivim lëndësh narkotike si dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Të dyshuarit kishin kultivuar bimë narkotike në zonën e plazhit të Lukovës, dhe gjatë hetimeve, u konstatuan në pamje filmike, teksa kujdeseshin për këto bimë.

Gjithashtu u proceduan penalisht 2 shtetas, për moskallëzim të këtij krimi.

Policia ka asgjësuar nëpërmjet djegies bimët narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, krahas angazhimit maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, përgjatë sezonit turistik, si dhe në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë finalizuar, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë dhe me Prokurorinë e Vlorës, operacionin policor anticannabis të koduar “Lukova”.

Në kuadër të këtij operacioni, u bë ndalimi për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve V. K., 30 vjeç, banues në Lukovë dhe K. A., 26 vjeç, banues në Maliq. Gjithashtu, si bashkëpunëtor për këtë veprimtari kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi R. M., 33 vjeç, banues në Lukovë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në territorin e fshatit Lukovë, në pjesën e ullishtes dhe të zonës së pyllëzuar që gjendet mbi plazh, në një parcelë, kishin kultivuar 31 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies. Gjatë hetimit proaktiv këta shtetas u konstatuan në pamje filmike, teksa kujdeseshin për bimët narkotike.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasit F. V., 29 vjeç, banues në fshatin Piqeras, Himarë, dhe Sh. H., 37 vjeç, banues në Gjirokastër.

Vijon puna për kapjen e shtetasit R. M.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.