Dhjetëra qytetarë janë mbledhur para kryeministrisë për të kërkuar lirimin nga burgu të Dritan Goxhajt, i arrestuar nga autoritetet shqiptare me kërkesë të Gjykatës Speciale në Hagë.
Ata kërkuan lirimin e Goxhajt Gjatë fjalës së tij para protestuesve avokati e aktivisti Altin Goxhaj tha se asnjë nga politikanët nuk ndodhet në protestën për lirimin e Dritan Goxhajt pasi të gjithë i bashkon lidhja me George Soros.
“Ata përsëri nuk janë këtu, as ky që e ka rrëmbyer. As Sali Berisha, as Ilir Meta. As Lulzim Basha. Nuk janë askund as këta zogjtë e rinj, as Tiku, as Arlindi, as Shabani. Se të gjithë këta i bashkon një gjë. Soros, Soros, Soros. Sepse ky djalë këtu denoncoi dy muaj më parë, një media e Sorosit dhe Beogradit që shpiku për 20 vjet duke përballur UÇK-në. Më 6 shtator në Gjykatën e Hagës doli vërteta. Avokati i Kadri Veselit kishte përballë këlyshin e Sorosit Frederick Abrahams. Provat ishin nga serbët. Abrahams është padroni i Altin Raxhimit të BIRN Beogradit.” – tha Goxhaj.
Gjykata Speciale ka kërkuar arrestimin e ekstradimin e Goxhajt duke e akuzuar se ka frikësuar dhe penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Avokati i tij tha se akuza me të cilën përballet Goxhaj është ajo e frikësimit të dëshmitarëve të fshehtë, që në procesin që po zhvillohet në Hagë mbahen të fshehtë, me iniciale.
Pak kohë më parë, gjatë një interviste në Euroneës.al, ai tha se një prej këtyre dëshmitarëve është Altin Raxhimi, gazetar i BIRN, që është edhe bashkëautor i shkrimit për “Shtëpinë e verdhë” që u përdor më pas nga Karla del Ponte dhe Dick Marty për ngritjen e akuzave për UÇK-në.
Gjatë emisionit të datës 3 prill të këtij viti, Goxhaj u shpreh se shkrimi i BIRN për trafikun e organeve ishte i porositur nga Beogradi dhe se gazetari kishte përfituar azil politik në Kanada.
“E gjitha ka nisur mbi bazën e një shkrimi të bërë nga gazetarët e Birn. Në atë kohë gazetarë Birn nuk kishte për Shqipërinë, por paguhej direkt nga Beogradi dhe shkrimin e ka bërë një amerikan dhe një shqiptar. Shqiptari është Altin Raxhimi i cili bëri këtë shkrim ku tha se janë arrestuar dhe mbajtur nga UÇK-ja në Kukës në këtë fabrikë 19 shqiptarë dhe për këtë shkrim që bëri ky zotëria ka përfituar dhe azil politik sot në Kanada dhe është dhe dëshmitar i fshehur dhe i mbrojtur i Prokurorisë Speciale kundër gjyqit që do të fillojë sot kundër personave të akuzuar. Këtë shkrim e ka marrë prokuroria e UMNIK-ut dhe ka nisur një proces gjyqësor në vitin 2009 mbi bazën e këtij shkrimi.” – deklaronte Goxhaj.