Vendosni fjalën kyçe....

Kërkojnë asfaltimin e rrugës, banorët e tre fshatrave të Zall Herrit protestë


Banorët të fshtrave të Zall-Herrit, nga fshatra Pinar, Priskë e Vogël dhe Herraj, po protestojnë sot pasi kërkojnë asfaltimin e 3500 metrave rrugë.

Kjo është hera e dytë që banorët dalin në protestë, të cilët kanë deklaruar se sot nuk i kanë dërguar fëmijët në shkollë. Ata kanë denoncuar policinë se u ka bërë presion pse kanë protestuar.

“Po na bëjnë presion se pse po dalim në protestë! Më kanë thirrur në polici e më thonë se pse ke protestuar! Më ka thirrur shefi i OPGJ-së.” – tha një protestues.

Në shenjë protestë banorët kanë bllokuar edhe mjetet e tonazhit të rëndë që shkojnë në Bovillë për të marrë inerte. Forca të shumta policie kanë mbërritur në zonë.

Banorët kanë ngritur edhe një tjetër problem që ka të bëjë me shpërthimet që ndodhin për shkak të aktivitetit të guroreve e kanë bërë fshatin të pabanueshëm nga ajri i ndotur dhe problemet në furnizimin me ujë të pijshëm.

Rruga, përveç lehtësimit për jetën e banorëve, lidh Tiranën edhe me liqenin e Bovillës, që së fundmi është kthyer një atraksion turistik, me interes për të huajt dhe vendasit.