Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis i dërgoi një mesazh të rreptë Shqipërisë se perspektiva e saj evropiane lidhet me respektimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke.
Duke folur për zgjerimin e BE-së në një konferencë ndërkombëtare në Athinë, Gerapetritis theksoi se Athina nuk mund të pranojë vende kandidate që nuk plotësojnë kriteret e anëtarësimit “dhe mbi të gjitha parimet bazë evropiane, si demokracia dhe shteti i së drejtës”, përcjell CNN Greece.
Ai iu referua konkretisht rastit të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, duke folur për sjellje dhe praktika që tregojnë se këto parime nuk janë adoptuar ende nga të gjitha vendet kandidate.
“Shqipëria duhet të dëshmojë se respekton të drejtat e pakicës kombëtare greke dhe shtetin e së drejtës”, theksoi ministri i Jashtëm.
Rigjallërimi i procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor
Gerapetritis përsëriti mbështetjen e Greqisë për integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukrainës dhe Moldavisë, duke shtuar se procesi i zgjerimit duhet të rigjallërohet.
“Në këto kohë të vështira, një BE e fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse, me synimin e arritjes së autonomisë strategjike, është gur themeli i paqes dhe prosperitetit për qytetarët e saj”, theksoi ai.
Ai shtoi se Greqia, si shteti më i vjetër anëtar i BE-së në rajon, ka për detyrë të udhëheqë Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit evropian. Ai shtoi se kjo është rruga më e sigurt për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin, “siç diktohet nga interesi i Greqisë dhe fqinjëve të saj, rajonit dhe Bashkimit Evropian”.