Vendosni fjalën kyçe....

Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin për kompromis, insistoi në njohje


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se kërkoi që të formalicohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Borrell priti të enjten në një rund të ri bisedimesh Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Sot, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç,, kam tentuar që të gjejmë zgjidhje për një rrugë përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe në Kosovë]. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, tha Borrell.

“Jemi përpjekur shumë, por, për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur të thyhen dallimet”, tha ai, duke shtuar se Vuçiç e pranoi propozimin e BE-së.

Borrell sqaroi se propozim i bllokut evropian është që Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh të zbatohet nga të dyja palët paralelisht.

“Ky ka qenë kompromisi më i mirë që kemi mundur të ofrojmë”, tha Borrell, duke shtuar se ai mbështetet edhe nga partnerët amerikanë.

Kryediplomati evropian tha, po ashtu, se nuk ka përparim në shtensionimin e situatë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

“Disa hapa janë ndërmarrë nga Kosova dhe ne i mirëpresim. Disa, por ajo nuk e ka përmbushur kërkesën e bërë për shtensionim të plotë”, tha Borrell.

Vuçiç tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”./ REL