Vendosni fjalën kyçe....

Leposaviqi dhe Zubin Potoku anëtarësohen në Asociacionin e Komunave të Kosovës


Leposaviqi dhe Zubin Potoku janë anëtarësuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës më 14 shtator, njoftoi partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëvendosje tha në rrjetin social Facebook se “kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zubin Potokut votuan pro bashkimit në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Lista Serbe e kundërshtoi këtë vendim, duke thënë se “ai nuk është në përputhje me kërkesat e serbëve lokalë”, dhe se si i tillë “do të vazhdojë ta përshkallëzojë situatën në veri të Kosovës”.

Në fund të muajit të kaluar, Asociacionit iu bashkua edhe Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës në prill – Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – në zgjedhjet e bojkotuara nga qytetarët serbë, Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi kishin kërkuar gjithashtu nga institucionet kosovare që ndërtesat publike të këtyre komunave të kyçen në sistemin energjetik të Kosovës dhe të paguajnë për energjinë elektrike të komunave që udhëheqin.

Mitrovica e Veriut, së bashku me tri komunat e tjera në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar.

Faturat e energjisë së shpenzuar në veri, fillimisht janë paguar nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Megjithatë, në këto dy komuna dhe në dy të tjerat në veri të Kosovës pritet të mbahen zgjedhje të parakohshme, të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar që nga fundi i majit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye./ REL