Policia ka arrestuar pas 11 vitesh shtetasin Eduart Kurti i shumëkërkuar nga autoritet dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve më 1 dhjetor të vitit 2012.
“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia e Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “End”.
Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Eduart Kurti, 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasja me dashje, në rrethana të tjera cilësuese, pasi në vitin 2012, në Tiranë, 48-vjeçari, ka vrarë me armë zjarri dy vëllezërit, shtetasit I. H., 44 vjeç, dhe S. H., 41 vjeç”- thuhet në njoftimin e policisë.
Si ndodhi vrasja
Iglent dhe Sokol Haxhialiu ishin nisur drejt Beratit mbrëmjen kur ndodhi ngjarja. Gjatë rrugës atyre u ka prerë rrugën Eduart Kurti, i cili ka hipur në makinë bashkë me ta. Makina tip “Mazda”, me targë TR 9205 S, drejtohej nga vëllai i vogël, Sokoli. Ndërsa vëllai i madh, Iglenti, i liroi sediljen e parë Eduart Kurtit, duke kaluar vetë në pjesën e pasme të makinës.
Përgjatë gjithë rrugës, nga zona e ish-Bllokut, kur në makinë ka hipur Kurti e deri në afërsi të rrugës “Irfan Tomini”, tek ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re ku ndodhi ngjarja, vëllezërit kanë debatuar me Kurtin në lidhje me borxhin që i detyroheshin.
Në debat e sipër, Kurti ka nxjerrë nga brezi një pistoletë “Minibloë”, me të cilën fillimisht ka qëlluar një herë në kokë Iglentin, që ndodhej në sediljen e pasme. Më pas ka qëlluar dy herë të tjera, në kokë dhe në qafë, Sokolin që ishte duke drejtuar makinën.
Pasi ka zbritur nga makina, autori është ndihmuar nga një person tjetër, duke u larguar nga vendngjarja me një makinë tjetër.
Kush ishin vëllezrit Haxhialiu
Iglenti ishte i martuar dhe në atë kohë dy djemtë e tij ishin njëri 17 dhe tjetri vetëm 1 vjeç. Ndërsa Sokoli (Nikola), i cili ishte duke drejtuar makinën tip “Mazda” me targë TR 9205 S kur ndodhi vrasja, ishte beqar. Viktimat kishin në pronësi një biznes bojërash dhe këtë aktivitet e ushtronin kryesisht në rikonstruksionin e pallateve, kryesisht në zonën e ish-Bllokut, gjithashtu merreshin edhe me shitblerje të pasurive të patundshme.
Ata posedonin edhe një hotel luksoz në zonën e Dhërmiut në Vlorë, paratë për ndërtimin e të cilit dyshohet se ia kishin marrë borxh, autorit të dyshuar të ngjarjes, Eduart Kurti. Prej disa muajsh, Kurti kishte nisur t’ua kujtonte borxhin dhe interesin prej 5 për qind, të shumës 200 mijë dollarë që ata i kishin marrë hua. Për këtë arsye dyshohet të ketë ndodhur edhe krimi i dyfishtë, në makinën me të cilën udhëtonin vëllezërit.