Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Korporata Elektoenergjetike Shqiptare kanë kërkuar miratimin e një ndryshimi të kontratës së tyre tek Enti Rregullator i Energjisë lidhur me shitblerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit.
Sipas shkresës që shoqëron amendimin, dy kompanitë publike nënvizojnë se ky ndryshim është i nevojshëm në kushtet kur emergjenca e furnizimit me energji në vend u zgjat deri në fund të këtij viti nga ana e qeverisë.
“Palët, me vullnetin e tyre të lirë dhe të përbashkët kanë vendosur të amendojnë këtë kontratë, duke ndryshuar kohëzgjatjen e kontratës, nëpërmjet shtrirjes së efekteve të saj deri në datë 31.12.2023.
Ky ndryshim vjen si rrjedhojë e zgjatjes së periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike deri në datën 31.12.2023, me anë të VKM nr. 449, date 26.07.2023 “Për një ndryshim ne VKM nr. 584, date 08.10.2021, “Për shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike (e ndryshuar)”.
Në këto kushte, në zbatim të Nenit 4 dhe 13 te VKM Nr. 456, datë 29.6.2022 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do te zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike”; VKM nr. 449, date 26.07.2023 “Për një ndryshim ne VKM nr. 584, datë 08.10.2021, “Për shpalljen e gjendjes së emergjencës në fumizimin me energji elektrike (e ndryshuar)”, si dhe nenit 18 te Kontratës “Për shitblerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në Sistemin e Transmetimit” nr.4670/1 prot., të OST SHA, datë 27.07.2022 dhe nr.3635/2 prot., të KESH SHA, datë 03.08.2022, bashkëlidhur do të gjeni për miratim Amendimin e kësaj Kontrate “thuhet në dokument.
Referuar nenit 1 të kontratës së amenduar thuhet se ndryshimi përfshin nenin 18 të asaj në fuqi dhe që ka të bëjë me afatet. Konkretisht sipas ndryshimit “kjo kontratë dhe secili nga kushtet këtu do të hyjnë në fuqi pas miratimit nga Bordi i ERE dhe shtrin efektet për periudhën 01.07.2023-31.12.2023”.
Të gjithë nenet e tjera të kontratës “Për shitblerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në Sistemin e Transmetimit” nr.4670/1 prot., të OST SHA, datë 27.07.2022 dhe nr.3635/2 prot., te KESH SHA, date 03.08.2022 (e amenduar), mbeten të pandryshuara.
KESH i siguron OST energjinë e nevojshme për mbulimin e humbjeve sipas termave të një marrëveshjeje të lidhur vitin e shkuar. Në një amendim të mëparshëm që parashikonte tregtimin e kësaj sasie në Bursë thuhej se “para hapjes së portës së ofertimit në DAM/ALPEX, Blerësi dhe shitësi do të rakordojnë me njëri-tjetrin programin ditor të energjisë me bazë orare të parashikuar për nevojat e mbulimit të humbjeve në rrjetin e transmetimit, në përputhje me dispozitat e akteve ligjore, nënligjore dhe rregullatore në Sektorin e Energjisë Elektrike dhe parashikimeve të kësaj kontrate”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor