Kaskada e Devollit mund të ketë rritje të kapacitetit të prodhimit të energjisë me një projekt që aktualisht është në fazë studimi nga norvegjezët e Statkraft.
Një marrëveshje që u miratua pak ditë më parë në qeveri dhe së fundmi ka mbërritur në Kuvend specifikon ndryshime sa i takon koncesionit aktual që ka kompania në vendin tonë.
Ky është ndryshimi i katërt që i bëhet marrëveshjes ndër vite dhe që synon këtë herë një projekt që rrit efektivitetit e përdorimit të ujit të kaskadës ku kompania ka investuar.
Projekti i ri rrit ndjeshëm kapacitetin e insataluar në kaskadën e Devollit që vetem nga shtesa mund të jetë mes 800 dhe 1600 MW duke tejkaluar kështu kaskadën e Drinit që është arteria kryesore në vend për prodhimin e energjisë.
Në shtratin e lumit Drin janë të ndërtuara hidrocentralet e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Ashtës (investim privat)me kapacitet të instaluar rreth 1400MW, nga të cilët, tre të parët janë nën administrimin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.
“Shoqëria e Projektit ka kryer disa studime paraprake të cilat synojnë optimizimin e shfrytëzimit hidrologjik të lumit Devoll. Studimet tregojnë se ndërtimi i një impianti me sistemin e rezervës së pompuar mund të jetë i realizueshëm dhe do të ofronte një përdorim me të mirë të potencialit hidrologjik të kaskadës së lumit Devoll.
Nga optimizimi përfitojnë të dy Bashkë-Koncesionarët dhe Qeveria e Shqipërisë për shkak të shtimit të kapacitetit të ruajtjes së energjisë në vend” thuhet në marrëveshjen e bërë publike.
Projekti kapaciteti shtesë 800-1600 MW
“Rezervuari i Epëm i RP Moglica Shtesë gjendet rreth 8 km në lindje të Digës së Moglicës ku një pjesë e epërme në formën e një ene dhe pjesë e epërme relativisht e e sheshtë e luginës është e përshtatur për ruajtjen ditore të ujit për t’u përdorur nëpërmjet një hidrocentrali me sistemin e rezerve së pompuar.
Rezervuari i Epërm do të përbehet nga 2 diga me mbushje shkëmbore në lartësi nga 20 deri 70 m. Centrali nën-tokësor gjendet në kodrën në anën e majtë të degës së lumit Devoll të rezervuarit të Moglicës.
Centrali është i pajisur me turbina me pompë të kthyeshme. Kapaciteti i instaluar do të jetë afërsisht 800-1600 MW subjekt i projektit final. Dalja e tunelit të shkarkimit do të zhytet dhe do të dalë në Rezervuarin e HEC-it Moglice rreth 4 km nga Diga e HEC-it Moglicë. Skema përdor lartësi bruto rreth 620 m midis Rezervuarit të Epërm te RP Moglica Shtesë dhe Rezervuarit të HEC-it Moglicë” thuhet në tekstin që i është bashkangjitur marrëveshjes.
Referuar një kalendari bashkangjitur këtij drafti parashikohet që në vitin 2024 të kryhet studimi i fizibilitetit për të vijuar me vlerësimin final në 2025 dhe nëse gjithçka shkon sipas planit në vitin 2025 të bëhet tenderimi. Operimi është parashikuar në vitin 2030.
Statkraft 590 milionë euro investim
Hidrocentralet mbi lumin Devoll janë projekti më i madh hidroenergjetik i 30 viteve të fundit i zbatuar në vend. Ai përfshin dy HEC-e të mëdha Banja dhe Moglica si dhe projektin për HEC Kokel. Të dy hidrocentralet e parë në funksion kanë kapacitet të instaluar prej rreth 256 Më dhe prodhim të parashikuar rreth 700 GWh/vit. Kosto e investimit të Projektit Hidroenergjetik të Devollit është vlerësuar rreth 590 milion Euro./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor