Vendosni fjalën kyçe....

Franca i mbyll derën migrantëve që zbarkojnë në Lampeduzë


Franca nuk do ta mirëpresë asnjë migrant që shkon në atë shtet nga Lampeduza italiane, ka thënë ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi ishulli mesdhetar i Lampeduzës ka regjistruar rekord të migrantëve në të ditët e fundit.

Rreth 8.500 persona kanë shkuar aty me 199 anije në mes të së hënës dhe të mërkurës së javës së kaluar, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.

Kjo situatë e ka shtyrë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen që të udhëtojë atje të dielën, dhe ta prezantojë planin urgjent të veprimit.

Sipas Darmaninit, Parisi i ka treguar Italisë se është “i gatshëm të ndihmojë në kthimin e njerëzve në vendet me të cilat ka marrëdhënie të mira diplomatike”, duke marrë shembull Senegalin.

Mirëpo ai ka thënë se Franca, “nuk do t’i mirëpresë migrantët”.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni u ka bërë thirrjeve partnerëve të Bashkimit Evropian që të tregojnë më shumë përgjegjësi.