Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti sirian Bashar al-Assad me ftesë të Xi Jinping, mbërrin në Kinë për ceremoninë e hapjes së Lojrave Aziatike


 

Presidenti sirian Bashar al-Assad mbërriti të enjten në Kinë për vizitën e tij zyrtare me ftesë të presidentit kinez Xi Jinping për herë të parë në gati dy dekada.

Sipas Xinhua News, Bashar al-Assad mbërriti në Hangzhou, kryeqyteti i provincës Zhejiang të Kinës lindore, për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave të 19-ta Aziatike.

Herën e fundit Assad vizitoi Kinën në vitin 2004 për t’u takuar me Presidentin e atëhershëm Hu Jintao.

Kjo është vizita e tij e parë në Kinë që nga shpërthimi i luftës civile siriane më shumë se 12 vjet më parë.

Të mërkurën, media siriane tha se presidenti, së bashku me zonjën e parë Asma al-Assad, do të vizitojnë kryeqytetin Pekin dhe Hangzhou.

Ai do të takohet me presidentin Xi dhe do të mbajë një samit siriano-kinez, njoftoi Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve, përcjell AA.