Vendosni fjalën kyçe....

Osmani: Bideni dha garanci për mbështetje të vazhdueshme për Kosovën


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të enjten se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka dhënë garanci të fuqishme për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën.

Osmani është duke qëndruar në Nju Jork, ku mori pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti Biden në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Në një bashkëbisedim të ngrohtë me Presidentin Biden, Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të”, thuhet në një njoftim të Presidencës së Kosovës.

Osmani e ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është “ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm”.

Ajo e njoftoi presidentin Biden edhe për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, sipas Presidencës.

Në Nju Jork, Osmani u takua më 20 shtator edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, për zhvillimet e fundit në këtë proces, si dhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Bliken.