Të paktën tre persona kanë vdekur dhe qindra të tjerëve iu është dashur të marrin ndihmën e parë në provincën Sistan-Baluchistan të Iranit juglindor, e cila është përfshirë nga stuhitë e rërës për tre ditë.
Deri më tani, “1,346 njerëz kanë kërkuar ndihmë mjekësore urgjente në spitale dhe qendra mjekësore”, tha kreu i agjencisë së menaxhimit të krizave, Majid Mohebi, për agjencinë zyrtare të lajmeve Irna. Shumica e pacientëve kanë probleme të frymëmarrjes dhe zemrës ose acarim të syve, shtoi ai, duke sqaruar se tre persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku të shkaktuara nga mungesa e shikueshmërisë nga pluhuri.
Irani juglindor po përjeton gjithnjë e më shumë stuhi të tilla pasi ligatinat e tij të pakta thahen me një shkallë alarmante. Kjo situatë ka shkaktuar tensione diplomatike me Afganistanin fqinj, të cilin Teherani e akuzon se ka ulur ndjeshëm vëllimin e ujit të lumit Helmand që përshkon të dy vendet.
Irani, shtëpia e 85 milionë banorëve, është një nga vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike. Provinca Sistan-Baluchistan shpesh goditet nga valët e të nxehtit dhe këtë verë një mijë njerëz u shtruan në spital pasi kishin probleme shëndetësore për shkak të rritjes së temperaturave dhe reve të pluhurit.