Zv/drejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, deklaroi se autoritetet kanë pasur informacione mbi lëvizjen në kufi me Serbinë të pjesëtarëve të grupit mercenar ‘Wagner’, që aludohen se janë pjesë e sulmit të sotëm ndaj forcave policore në veri.
Hoti tha se kishin pasur dhe informacione se mund të kishte sulme, por asgjë nuk është e vërtetuar deri më tani.
“Kemi pasur informacione se po lëviznin pjesëtarë të grupit Wagner, dhe që mund të vinin të sulmonin, por asgjë të konfirmuar për sot. Jemi duke u koordinuar me KFOR-in. Në Prokurori duhen fakte kur deklaron diçka”, tha ai.
Ndërkohë, Kurti tha se komuna e Laposaviçit është shumë e madhe. “Në anën e Serbisë, afër kufirit ka shumë lëvizje. Edhe KFOR i di. Kemi qenë vigjilentë. Komuna e Leposaviçit i ka rreth 540 km katrorë, territor i madh dhe është kodrinoro-malor. Ashtu siç e dimë ne kufirin, e di dhe xhandarmëria e Serbisë.”, pohoi ai.