Vendosni fjalën kyçe....

Vritet një polic e plagosen dy të tjerë në Kosovë, vriten edhe 3 nga autorët e sulmit, grupi rrethohet brenda manastirit – Ç’dihet deri tani


Efektivi i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe dy kolegë të tij janë lënduar sot në një sulm me armë ndaj policisë në fshatin Bajnskë të Zveçanit rreth orës 3 të mëngjesit. Ndërsa pas ndërhyrjes së policisë janè vrarë tre sulmues e është arrestuar një tjetër ndërkohë që grupi është i rrethuar brenda një manastiri.

Pas sulmit forca të shumta të policisë së Kosovës  të shoqëruara nga KFOR-i e Eulex-i u përqendruan në fshatin Basnjkë. Autoritetet mbyllën pikën kufitare të Bërnjak

Sipas njoftimit zyrtar, sulmi ndaj efektivëve nisi me vendosjen e dy kamionëve pa targa në Urën e Bajnskës e pas mbërritjes së  policisë në vend, ata janë sulmuar nga disa drejtime me armë zjarr e granata.

“Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveçan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, njësitë e saj në terren janë sulmuar edhe më pas më armë zjarri. Me ndërhyrjen e trupave special, grupi prej rreth 30 personash që dyshohet se qëndron pas sulmit është strehuar në Manastirin e Bajnskës.

Ministri i Brendshëm Sveçla u bëri thirrje personave të armatosur që të dorëzohen ndërsa gjatë shkëmbimit me armë mes policisë e grupit të armatosur  është konfirmuar vrasja e tre anëtarve të grupit e arrestimi i katër personave.

Presidentja Osmani, kyeministri Kurti, e krerët e partive politike në Kosovë e dënuan ashpër sulmin duke akuzuar bandat kriminale serbe si orkestruese e organizatore të sulmit terrorist ndaj policisë e duke bërë thirrje për nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të vrasjes së policit.

Sulmi është dënuar edhe nga krerët e politikës në Shqipëri si dhe faktori ndërkombëtar në Kosovë.

Ambasadori amerikan Hovenier, ai i BE-së dhe zyrtarë të lartë evropianë e kanë dënuar sulmin duke bërë thirrje për qetësi, mature e zbatimin e ligjit në Kosovë.

Vrasja e policit në Kosovë vjen pas muajsh tensione mes Prishtinë e Beogradit lidhur me zgjedhjet në katër komuna të veri të Kosovës e përplasjeve të dhunshme atje për disa ditë me radhë. Ditët e fundit, Kurti e Vuçiç janë takuar në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së po nuk kanë arritur asnjë marrëveshje.

Po kështu prej muajsh SHBA-ja përmes të dërguarit special Gabriel Escobar e BE-ja kanë ushtruar presion ndaj kryeministrit Kurti duke i kërkuar të zbatojë Marrëveeshjen për Asociacionin e Komunave Serbe në veri duke e paralajmëruar me izolim të mëtejshëm nëse nuk zbaton marrëveshjet e dakordësuara më herët. /hashtag.al