Vendosni fjalën kyçe....

Komediani i njohur akuzon qeverinë britanike se po e censuron


Aktori dhe komediani Russell Brand ka thënë se qeveria britanike po përpiqet ta heshtë atë, në deklaratën e tij të parë që kur një varg akuzash për sulme seksuale kundër tij u publikuan nga mediat britanike të shtunën e kaluar.

“Deri tani ju ndoshta jeni në dijeni se qeveria britanike u ka kërkuar platformave të Big Tech të censurojnë përmbajtjen tonë në internet dhe se disa platforma në internet e kanë përmbushur këtë kërkesë,” tha Brand në një deklaratë video të lëshuar vonë të premten në platformat përfshirë X, Instagram dhe Rumble.

Ai u demonetizua nga YouTube në fillim të kësaj jave pas publikimit të një hetimi shumëvjeçar nga The Times, Sunday Times dhe transmetuesi Channel 4 mbi pretendimet për sjellje të pahijshme seksuale dhe përdhunim. Brand mohon të gjitha akuzat.

“Është e qartë se këto organizata të medias bashkëpunojnë në ndërtimin e narrativave,” pretendoi më tej Brand në videon tre minutëshe.

“Pavarësisht nëse bëhet fjalë për luftën apo pandeminë, dhe sigurisht që ka shembuj të tjerë. Është shumë e qartë për mua që duhet të jemi vërtet shumë, shumë të kujdesshëm.”

Pretendimet e Brand-it për një fushatë censurimi të mbështetur nga qeveria kundër tij vijnë disa ditë pasi Chris Pavlovski, kreu i platformës së transmetimit të videove Rumble, lëshoi ​​një letër të hapur në përgjigje të asaj që ai e quajti një hetim ‘thellësisht të papërshtatshëm’ nga deputetja e Mbretërisë së Bashkuar Caroline Dinenage.

Ligjvënësja konservatore kishte pyetur nëse Rumble synonte të ndiqte YouTube në heqjen e aftësisë së Brand për të prodhuar të ardhura nga përmbajtja e publikuar në platformë.