Vendosni fjalën kyçe....

I dënuar për narkotikë në burgun e Beratit, ndërron jetë gjatë operacionit 57-vjeçari


Një 57-vjeçar nga Berati ka gjetur vdekjen gjatë një operacioni në Senatoriumin e Tiranës. Valerio (Vasillaq) Gërzhi ishte duke vuajtur dënimin në Burgun e Beratit, kur gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dhe ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Beratit dhe më pas drejt Senatoriumit të Tiranës.

Raportohet se i burgosuri vuante nga mushkëria dhe ka gjetur vdekjen në sallën e operacionit, gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. 57-vjeçari Valerio (Vasillaq) Gërxhi ishte dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Milanos në Itali për ‘Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike’ dhe vendimi penal italian u njoh në Shqipëri, ku Gjykata e Apelit e dënoi atë me 5-vjet burg, të cilat më pas u shtuan në 7-vite burg nga një vendim i marrë nga Gjykata e Lartë”.

Burime nga IEVP Berat bëjnë me dije se vitin e fundit i burgosuri kishte shfaqur probleme të shumta shëndetësore dhe merrte trajtim mjekësor.

Të njëjtat burime konfirmojnë se për shkak të problemeve shëndetësore ai kishte kërkuar edhe lirim me kusht por kërkesa e tij nuk ishte marrë parasysh.