Vendosni fjalën kyçe....

Ju caktohet masa e paraburgimit, momenti i largimit nga gjykata i të akuzuarve për sulmin në Banjskë


Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të akuzuarve B.S dhe D.M, të cilët dyshohen për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku.

Në këtë seancë, është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Gjithashtu Gjykata Themelore Prishtinë caktoi gjatë orëve të mëngjesit masën e paraburgimit për një tjetër sulmues serb i identifikuar me inicialet V.T., pas seancës dëgjimore e cila u mbajt në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kujtojmë se më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur ndërsa po shkonte për të hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.

Pasi qëlloi ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, ndërsa përleshjet me policinë e Kosovës vijuan.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa arrestoi gjashtë të tjerë. Ndërkohë në mbrëmjen e 25 shtatorit në një hotel në Banjska janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për armëmbajtje.