Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përmes një konference për mediat është shprehur për herë të parë pas humbjes së opozitës në zgjedhjet e Kukësit.
Ai tha se zgjedhjet e Kukësit janë një faqe më shumë në librin e zi të 14 majit dhe tregues i partisë-shtet që kontrollon në mënyrë shumë të qartë votën e qytetarëve.
Sa i përket bashkëpunimit me ish-kryeministrin Sali Berisha, Meta ndër të tjera u shpreh se Partia e Lirisë do vijojë bashkëpunimin me çdo faktor opozitar që sipas tij nuk janë “zgjatime të qeverisë”
“Pas skandalit të shpjegosh rezultatin nuk ka lidhje vetëm me të. Zgjedhjet e Kukësit janë një faqe më shumë në librin e zi të 14 majit dhe tregues i partisë-shtet që kontrollon në mënyrë shumë të qartë votën e qytetarëve shqiptarë.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me çdo faktor opozitar për fuqizimin e opozitarizmit, kur dihet që investimi kryesor i qeverisë është blerja dhe pengmarrja e opozitës. PL qëndron si një opozitë e vërtetë përballë regjimit dhe do bashkëpunojë me çdo faktor që nuk është zgjatim i këtij regjimi.
Kemi ditët e fundit edhe pranimin e fajësisë më në fund nga McGonigal sa i takon rolit të tij me Shqipërinë. Është e qartë se veprimet e tij me qëllim fitimi dhe korrupsioni i ka bërë në këmbim të marrjes së porosive për të goditur opozitën nga kryeministri aktual”, u shpreh ai.