“Së paku 100 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një festë dasme në krahinën veriore të Irakut Ninevi”, thanë autoritetet lokale të mërkurën.
Mediat lokale njoftuan se, 500 persona të tjerë u plagosën nga zjarri, i cili shpërtheu në sallën e dasmave Al Haytham në distriktin Al-Hamdaniya, duke cituar Ahmed Hamdani, zëvendësdrejtor i Departamentit të Shëndetësisë në Mosul.
Sipas njoftimeve, ishin 800 vetë në sallën e dasmës kur shpërtheu zjarri. Agjencia irakiane e lajmeve (INA) tha se zjarri ishte shkaktuar nga fishekzjarre, qirinj dhe materiale të tjera të përdorura gjatë ngjarjes. Brigadat e zjarrfikësve dhe ambulancat nga provincat përreth u dërguan në zonë. Ministri i Brendshëm Abdul Amir Al-Shammari u drejtua gjithashtu për në rajon.