Policia ka arrestuar pronarin e lokalit në Sarandë ku hubi jetën 17-vjeçari i punësuar si kamarier.
Në prangat e policisë ra shtetasi Spiro Iljadhi.
37-vjeçari u ndalua nga shërbimet e policisë kufitare të Qafë Botës.
Ngjarja ndodhi më 26 gusht 2023 ndërsa 17-vjeçari ishte duke punuar dhe u shkëput kavoja e ashensorit që ngrinte dhe ulte mallrat në lokal. Struktura e improvizuar metalike zuri poshtë të riun duke i marrë jetën.
Ndaj pronarit të lokalit është caktuar masa “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
“Kapet dhe vihet në pranga pronari i lokalit ku një muaj më parë, për shkak të këputjes së kavos së ashensorit, humbi jetën një 17-vjeçar i punësuar në këtë lokal.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Botë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për goditjen e krimeve kufitare dhe kapjen e shtetasve në kërkim, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin në kërkim S. I., 37 vjeç, banues në Sarandë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi më datë 26.08.2023, në lokalin në pronësi të tij, për shkak të këputjes së kavos së ashensorit, humbi jetën një 17-vjeçar i punësuar në këtë lokal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme” – njofton policia.