Censi i vitit 2023 i cili ka nisur në terren punën për të mbledhur të dhëna të ndryshme në Shqipëri do kushtojë rreth 17 milionë euro.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen Delina Ibrahimaj ka shpjeguar se pse censi këtë vit do kushtojë shumë dhe nga kush u financua.
Ekzaktësisht censi është llogaritur të kushtojë 16.9 milionë euro. Dhe sipas ish-ministres së financave arsyeja është sepse do jetë viti i fundit që INSTAT bën një cens të kësaj natyre dhe kësaj përmase.
Censi në masën 55% do paguhet nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër është financim i BE-së, Ambasadës suedeze dhe asaj Zviceriane.
“Censi ka kushtuar 16.9 milion euro. Arsyeja pse ka kushtuar kaq shumë është s e planifikohet që të jetë viti i fundit që INSTAT bën një cens të kësaj natyre të këtyre përmasave. Baza e censit do të përdoret për të ndërtuar të gjithë regjistrat statistikor, dhe censet në vazhdim do të bëhen me kampion dhe jo me dalje derë me derë. 55% e kësaj vlere do të paguhet nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër është nga BE, ka financim nga ambasada suedeze dhe zviceriane”, shpjegonte Ibrahimaj një javë më parë në Euroneës Albania.
Censi do të sigurojë një panoramë të gjendjes aktuale të popullsisë së Shqipërisë, ku përfshihen aspektet sociale, ekonomike, lëvizjet demografike dhe shumë të dhëna të tjera, të cilat do të na tregojnë qartësisht si dhe ku jetojnë qytetarët e Shqipërisë në 2023.
Ky është censi i 12-të në historinë e Shqipërisë, i cili vjen 100 vjet pas censit të parë, zhvilluar në vitin 1923 dhe falë zhvillimeve teknologjike do të jetë e mundur që të zbatojë plotësisht standardet europiane të zhvillimit të censeve.
Për këtë proces janë punësuar rreth 7 mijë persona.
Mbledhja e informacionit do të realizohet duke shkuar në çdo shtëpi. Nëse një qytetar refuzon të bëhet pjesë e censit të popullsisë parashikohen penalitete, që variojnë nga 50 deri në 100 mijë lekë.
Të gjithë personat të cilët jetojnë në një familje do të numërohen. Çdo person i moshës 18 vjeç e sipër mund t’i përgjigjet vetë pyetjeve.
Anketuesit do të pyesin mbi informacione personale, arsimin, gjendjen shëndetësore, punësimin dhe elementë të tjerë të jetesës. Gjithashtu, censi përfshin pyetje rreth etnisë, besimit fetar dhe gjuhës.
Anketuesi mban përsipër të hedhë të dhënat në tabletë dhe t’ia dërgojë INSTAT-it
elektronikisht. Të dhënat e secilit janë të mbrojtura me ligj dhe kodohen në mënyrë që
informacioni individual të mos identifikohet.
Pyetësori përmban 8 module me rreth 100 pyetje, nga të cilat vetëm 3 janë opsionale dhe ato lidhen me të dhënat për etninë, fenë dhe gjuhën.
Të dhënat e para të dala nga CENS-i pritet të publikohen në qershor të vitit 2024.