Është përkeqësuar situata e zjarrit në masivin me pisha në Pishporo në Fier. Sot në mëngjes, në ditën e katërt të djegies operacioni ka nisur sërish që prej orës 7.00 me 40 efektivë të FA të repartit të Poshnjes, 3 mjete zjarrfikëse dhe 25 punonjës mjedisi.
Dje, rreth orës 16:00, për shkak të pamundësisë për të operuar më thellë, trupat e Forcave të Armatosura u tërhoqën.
Por, rreth orës 18:00, për shkak të shtimit të intensitetit të erës situata e zjarrit doli jashtë kontrollit.
Në këto kushte, duke vlerësuar rreziqet e mundshme u kërkua angazhimi i shërbimeve të MZSH nga Lushnja, Divjaka, Patosi, Roskoveci si dhe nga kompania Albetrol sh.a.
Në total, 8 mjete dhe 45 efektivët operuan në terren deri në orën 24:00. Më pas, 5 mjete zjarrfikëse dhe efektivët e tyre u tërhoqën për pamundësi ndërhyrjeje.
Për monitorimin e situatës qëndruan për gjatë gjithë natës, pranë zonave të banuara, tre mjete zjarrfikëse me efektivët përkatës.