Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak, tha të dielën se nuk ka plane të afërta për dërgimin në Kiev të personelit ushtarak për trajnimin e ushtarëve ukrainas. Më herët, zyrtari më i lartë i mbrojtjes britanike ishte shprehur gjatë një interviste lidhur me synimet për stërvitjen në Ukrainë të forcave të Kievit nga ushtarë britanikë.
Deri më sot, Britania dhe aleatët e saj kanë shmangur një prani formale ushtarake në Ukrainë për të zvogëluar rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Ministri britanik i mbrojtjes, Grant Shapps, i cili u emërua në këtë detyrë muajin e kaluar, tha në një intervistë për gazetën The Sunday Telegraph se ai dëshironte të dërgonte instruktorë ushtarakë në Ukrainë, përveç trajnimit të forcave të armatosura ukrainase në Britani ose vende të tjera perëndimore, raporton Reuters.
Disa orë pas publikimit të asaj interviste, Sunak tha se nuk kishte plane të menjëhershme për të dërguar trupa britanike në Ukrainë.
“Ajo që do donte të thoshte shefi i mbrojtjes ishte se në të ardhmen mund të jetë e mundur që ne të kryejmë stërvitjet në Ukrainë. Por ky është një plan afatgjatë, jo këtu dhe jo tani. Nuk do të dërgohen ushtarë britanikë ndërsa konflikti vazhdon”, u tha Sunak gazetarëve në fillim të konferencës vjetore të Partisë Konservatore në Mançester.
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha të dielën se çdo ushtar britanik që trajnon trupat ukrainase në Ukrainë do të ishte objektiv legjitim për forcat ruse. Britania ka ofruar kurse trajnimi ushtarak pesë-javor për rreth 20 mijë ukrainas gjatë vitit të kaluar dhe synon të trajnojë një numër të ngjashëm në vijim.
Në një intervistë me Sunday Telegraph, Shapps tha se kishte hapësirë për të ofruar trajnime ushtarake brenda Ukrainës pas një diskutimi të premten me shefat ushtarakë britanikë.
“Po flisja sot për afrimin e stërvitjes dhe në fakt edhe në Ukrainë”, citohet të ketë thënë ai.
“Veçanërisht në perëndim të vendit, mendoj se mundësia tani është të sjellim më shumë gjëra në vend”, shtoi ai.
Shapps tha gjithashtu se shpresonte që kompanitë britanike të mbrojtjes si BAE Systems (BAES. L) do të procedonte me planet për ngritjen e fabrikave të armëve në Ukrainë.