Vendosni fjalën kyçe....

Balla thekson Paketën e Sigurisë në Shkolla: Duhet ndërveprim i shpejtë mes gjithë strukturave


Ministri i Brendshëm Balla nxiti një bashkëpunim më të ngushtë mes shkollave, policisë e komunitetit me nisjen e vitit të ri akademik.

Në vijim të turit të takimeve që ka nisur, ai foli për Paketën e Sigurisë së Shkollave duke thënë se ‘ato janë objekt i rëndësisë së veçantë dhe kushdo që do të tentojë të afrohet brenda këtij perimetri duhet ta pyesë shumë herë veten, sepse reagimi do të jetë shumë i fortë’.

“E vërteta është që këto ditë të para të vitit të ri shkollor, kemi një numër të konsiderueshëm ndërhyrjesh policore për të krijuar këtë perimetrin e sigurisë që askush mos ta depërtojë.” – tha ai.

Gjatë një takimi me drejtuesit e arsimit në Rrogozhinë, Balla tha gjithashtu se është e rëndësishme që formulari i sigurisë të bëhet praktik.

“Përmes këtij formulari ne kemi mundësi që të fillojmë të gjurmojnë apo të parashikojmë incidentet të caktuara apo edhe të gjurmojmë veprimtari kriminale që zhvillohet rreth e për rreth shkollës, që në syrin e përditshëm Policisë nuk bie në sy por përmes këtij informacioni që marrim prej jush kemi mundësi të fillojmë hetimet”, tha Balla.

Në lidhje me fenomenet problematike që mund të shfaqen në perimetrin e sigurisë në shkolla, ai kërkoi një bashkëveprim më të shpejtë mes gjithë strukturave të përfshira në Paketën e Sigurisë, përkatësisht stafit arsimor, policinë, pushtetin vendor, autoritetin ushqimor etj., për t’i paraprirë çdo situate të mundshme.