Vendosni fjalën kyçe....

‘Ndryshon muzika’ ndaj karteleve, SHBA pranon të vendosë ushtrinë në Ekuador pas vrasjes së kandidatit presidencial


Ecuadorian President Guillermo Lasson in Washington, DC

Sipas Washington Examiner dhe Kongresmenit  të Teksasit Dan Crenshaw, administrata Biden ka hyrë në heshtje në marrëveshje me Ekuadorin, gjë që do i lejojë SHBA-së të dërgojë forca ushtarake, si në tokë ashtu edhe në brigjet e vendit të Amerikës së Jugut, i cili është goditur rëndë nga dhuna e vrasjet nga kartelet e drogës që veprojnë në rajon.

Anëtarë të zgjedhur të Kongresit u informuan gjatë një konference private në Capitol Hill me presidentin ekuadorian Guillermo Lasso të mërkurën, 26 shtator 2023. Lasso ishte në Uashington për t’u takuar me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe për të nënshkruar dy marrëveshje, sipas Kongresmenit Dan Crenshaw (R- TX), i cili ishte i pranishëm në takim dhe foli me Washington Examiner të enjten.

“Ata po shpallnin dhe nënshkruann një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara,” tha Crenshaw, i cili drejton Task Forcën e Kongresit për të luftuar kartelet meksikane të drogës.

 Kongresmeni Dan Crenshaw, R-TX shtrëngon duart me presidentin ekuadorian Guillermo Lasso, në një konferencë private në Capitol Hill më 27 shtator 2023

Presidenti ekuadorian Lasso tha: “Kur ne erdhëm në qeveri në maj 2021, organizatat kriminale ekuadoriane me lidhje të forta me kartelet meksikane u krijuan praktikisht si struktura të fuqishme që kanë përdorur burgjet si qendra veprimi. Ato janë ekonomikisht të forta, janë të armatosura me armë e pajisje që tejkalojnë policinë dhe kanë kapacitet për të rekrutuar të rinjtë.”

Departamenti i Shtetit nuk i ka publikuar marrëveshjet në asnjë nga më shumë se 30 njoftimet për shtyp të lëshuara që nga e mërkura, por një zëdhënës i shtetit konfirmoi për Washington Examiner të premten se kishte nënshkruar një marrëveshje për statusin e forcave dhe marrëveshjet e zbatimit të ligjit detar.

Përfaqësues të lartë nga dega ushtarake e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Roja Bregdetare e SHBA-së dhe Departamenti i Mbrojtjes morën pjesë në nënshkrimin

Marrëveshja Ushtarake e SHBA

Marrëveshja detare lejon që anijet ushtarake amerikane të jenë të pranishme në ujërat në brigjet veriperëndimore të Amerikës së Jugut, të cilat kartelet kolumbiane të drogës i përdorin për të lëvizur kokainën.

Aftësia për të lëvizur anijet ushtarake në zonë do ‘forcojë veprimtaritë bashkëpunuese të zbatimit të ligjit dhe do ndërtojë kapacitete të ndërsjella për të parandaluar dhe luftuar veprimtarinë e paligjshme detar ndërkombëtare’, sipas DASH.

Marrëveshjet e statusit të forcave përshkruan kushtet me të cilat anëtarët e një ushtrie të huaj, në këtë rast, Departamenti i Mbrojtjes, mund të veprojnë ose pritet të sillen gjatë qëndrimit në një vend tjetër.

Marrëveshja e dytë ishte më pak e zakonshme, sipas Adam Isacson, i cili drejton mbikëqyrjen e mbrojtjes në Zyrën e Uashingtonit për Amerikën Latine dhe ka punuar në çështjet e Amerikës Latine që nga viti 1994.

“Kjo nuk do të thotë që ne po e bëjmë atë, por do të thotë se ne mundemi dhe do të thotë se ata po na japin një sinjal shumë të qartë se duan që ne të përfshihemi më shumë,” tha Crenshaw.

Departamenti i Shtetit dhe i Mbrojtjes nuk iu përgjigjën pyetjeve vijuese në lidhje me detyrat e trupave për dislokimet në Ekuador dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara me vendet e Amerikës Latine. SHBA tërhoqi të gjithë ushtrinë nga baza në Manta, Ekuador, në vitin 2009.

Roja Bregdetare e SHBA, një degë ushtarake që është e vetmja e vendosur nën Departamentin e Sigurisë Kombëtare, jo nën Departamentin e Mbrojtjes, ka pasur anijet e saj ‘Cutter’ të vendosura në rajonet e Atlantës, Paqësorit dhe Karaibeve për vite me radhë për të ndaluar ngarkesat e kontrabandës së drogës në ujërat ndërkombëtare.

Më 20 shtator, anija ‘Confidence u kthye në portin e saj të origjinës në Florida pas një vendosjeje dymujore kundër narkotikëve në Karaibe dhe shkarkoi 5.5 ton kokainë me vlerë 160 milionë dollarë të sekuestruara në bashkëpunim me agjencitë partnere.

Kandidati presidencial i vrarë Fernando Villavicencio

Dhuna e drogës në Ekuador

Vendi, i cili nuk është një prodhues i madh kokaine, ka parë kulmin e dhunës kur një kandidat presidencial i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, Fernando Villavicencio, u qëllua për vdekje në fund të një tubimi të fushatës së 9 gushtit 2023.

Ai kishte akuzuar bandën ekuadoriane Los Choneros dhe liderin e saj të burgosur, José ‘Fito’ Adolfo Macías Villamar, të cilin ai e lidhi me kartelin Sinaloa të Meksikës, se e kërcënuan atë dhe ekipin e tij të fushatës disa ditë përpara vrasjes së tij.

Shtetet e Bashkuara ofruan së fundmi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacion për organizatorët e atyre që janë përgjegjës për atentatin. Krimi i organizuar qëndron pas vrasjes, tha presidenti i Ekuadorit në atë kohë.

Shtetet e Bashkuara ofruan gjithashtu një shpërblim prej 1,000,000 dollarësh për informacione mbi çdo udhëheqës të bandës përgjegjës për vdekjen e tij.

“Shtetet e Bashkuara do vijojnë të mbështesin popullin e Ekuadorit dhe të punojnë për të çuar para drejtësisë ata që kërkojnë të minojnë proceset demokratike përmes krimit të dhunshëm,” tha të enjten Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili shpalli shpërblimin.

Kandidatët presidencialë të Ekuadorit

Ekuadori do shkojë në një balotazh më 15 tetor midis kandidates kryesore, Luisa González, e cila ka premtuar të ringjallë programet sociale të ish-presidentit Rafael Correa, dhe Daniel Noboa, djali i një biznesmeni të shquar bananesh dhe kandidati pesë herë presidencial.

“Për momentin ne jemi të pushtuar totalisht nga narko-terrorizmi dhe duhet ta luftojmë atë me gjithë forcën që kemi”, tha Noboa, nga një nga familjet më të pasura të Guayaquil.

“Dhuna dhe shkalla e vdekjeve me të cilat po përballemi janë si ato në një zonë lufte, kështu që ne duhet ta trajtojmë atë si një luftë dhe t’i trajtojmë këto grupe narko-terroriste si armikun tonë,” tha ai.

Ekuador pa 4,600 vdekje të dhunshme në vitin 2022, dyfishi i vitit të mëparshëm, dhe vendi do thyejë përsëri rekordin me 3,568 vdekje të dhunshme në gjysmën e parë të 2023. Nga këto, gati gjysma ishin në Guayas, provinca që përfshin Guayaquil, ku afro 1700 njerëz janë vrarë deri më tani këtë vit.

Por forcat e armatosura dhe policia e vendit duket se po humbasin betejën kundër narkotikëve që e kanë kthyer vendin në një autostradë kokaine, ndërsa bandat, brenda dhe jashtë sistemit të dobët dhe të mbipopulluar të burgjeve, konkurrojnë për rrugët e trafikut të drogës, me mbështetjen e karteleve të fuqishme meksikane.

Kreu i Los Choneros José ‘Fito’ Adolfo Macías Villamar

Pjesërisht për shkak të afërsisë me prodhimin e kokainës, grupet e kartelit nga Meksika, Kolumbia dhe Ballkani janë vendosur në Ekuador sepse përdor dollarin amerikan dhe ka ligje dhe institucione më të dobëta dhe punojnë së bashku bashku me një rrjet bandash të krijuar prej kohësh si Los Choneros.

Autoritetet thonë se Ekuadori gjithashtu fitoi rëndësi në tregtinë globale të kokainës pas ndryshimeve politike në Kolumbi gjatë dekadës së fundit. Fushat e coca-s në Kolumbi janë afruar më pranë kufirit me Ekuadorin për shkak të shpërbërjes së grupeve kriminale pas çmobilizimit të vitit 2016 të grupit rebel të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, (FARC).

Javën e kaluar, trupi i ish-udhëheqësit të Los Choneros ‘Junior’ Roldan u mor nga kasaforta në varrezat ku ai u varros në Medellin, Kolumbi pas vrasjes së tij me armë zjarri në maj 2023, përtej kufirit në Kolumbi. Ai kishte ikur atje pas një atentati ndaj tij nga banda rivale Los Lobos.

Trazirat dhe vrasjet në burgje në shkallë të gjerë kanë fuqizuar bandat në Ekuador, deri në atë pikë sa të orkestrojnë vrasjen publike të një kandidati presidencial që kishte folur kundër bandave, duke lidhur kartelin meksikan Sinaloa me bazë në burgjet ku ata kontrollojnë; dhe mijëra anëtarë të bandës.

Muajin e kaluar, kartelet treguan fuqinë e tyre me një pengmarrje masive në gjashtë burgje, në një përgjigje të dukshme ndaj transferimit në burg të një drejtuesi të madh bande. Mbi 11,000 trupa dhe forca të rendit morën pjesë në transferimin e tij në një zonë më të sigurt të kompleksit të madh të burgut.

Baladë e publikuar së fundmi për kreun  e Loc Choneros, ‘Fito’

Eksportuesi më i madh i bananeve në botë

Kapjet e mëdha të drogës janë bërë më të shpeshta dhe brenda muajit të kaluar, autoritetet evropiane kanë bërë kapje rekord pasi inspektuan kontejnerët me banane nga Ekuadori. Më shumë se 8,000 kilogramë kokainë dyshohet se u gjetën të fshehura në një kontejner me banane të përgjuar nga autoritetet holandeze.

Nga janari deri në gusht 2023, Ekuadori eksportoi 247,000,000 kuti banane, 7,17% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022, sipas të dhënave nga Shoqata e Marketingut dhe Eksportit të Bananeve (Acorbanec). Eksportet drejt Bashkimit Evropian arritën në 24,796,000 milionë kuti dhe ishin rritur me 22,41%.

Zbulohen mbi 8 ton kokainë të fshehur në një ngarkesë të madhe të eksportit të bananeve në Holandë

Konfiskimet rekord nga Ekuador në 2023

Sekuestrimi rekord i kokainës në Spanjë

9.5 ton të fshehur mes kutive kartoni me banane në një enë frigoriferike më 25 gusht.

Sekuestrimi rekord holandez i kokainës

Gati 8 ton kokainë u kapën në një kontejner me banane ekuadoriane në korrik

Autoritetet në Greqi dhe Itali njoftuan gjithashtu sekuestrimin e kokainës së fshehur në bananet e Ekuadorit këtë vit. Irlanda ka raportuar sekuestrimin e saj më të madh prej mbi 2.25 tonësh në një anije mallrash nga Venezuela, një tjetër vend nga Amerika e Jugut.

Në vitin 2021, prodhimi i kokainës ishte në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave dhe gati një e treta e kokainës së kapur nga autoritetet doganore në Evropën Perëndimore dhe Qendrore vinte nga Ekuadori.

Kjo është dyfishi i sasisë së raportuar në vitin 2018, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, duke cituar të dhëna nga Organizata Botërore e Doganave. Forcat ushtarake amerikane që synojnë kartelet e drogës, dhunën dhe bandat në Ekuador mund të krijojnë një precedent dhe të hapin debate mes politikanëve amerikanë dhe meksikanë.

Forcat ekuadoriane jashtë burgjeve

Forcat Ushtarake të SHBA në Meksikë ‘një patate e nxehtë’

Debatet politike dhe propozimet nga politikanët, duke përfshirë Kongresin dhe kandidatët presidencialë për të lejuar përdorimin e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara për të luftuar kartelet meksikane të drogës në Meksikë janë shtuar, veçanërisht pas shpërthimit të trafikut të fentanilit dhe vdekjeve nga mbidoza në vitet e fundit. Debatet janë bërë kryesisht nga politikanët republikanë dhe janë diskutuar shumë në debatin e parë të kandidatit republikan për president.

Guvernatori i Floridës Ron DeSantis tha se kartelet meksikane të drogës duhet të trajtohen si ‘organizata të huaja terroriste’ dhe u zotua: “Unë do përdor ushtrinë amerikane për të ndjekur kartelet meksikane të drogës”.

Kandidatja tjetër Nikki Haley tha se ‘do dërgonte forcat special amerikane [ër t’i larguar kartelet’.

Nëse ushtria amerikane përdoret për të luftuar kartelet meksikane në terrenin e tyre, kjo ka të ngjarë të çojë në humbjen e bashkëpunimit nga Meksika për ndalimin e fluksit të drogës ose emigrantëve dhe mund të çojë potencialisht në luftime midis forcave të armatosura amerikane dhe ushtrisë ose policisë meksikane, të korruptuara ose jo dhe të përshkallëzojë tensionet në nivele tëskajshme në kufirin jugor me partnerin e dytë më të madh tregtar të Shteteve të Bashkuara.

Në prill 2023, pas aktakuzave dhe sanksioneve në shkallë të gjerë kundër anëtarëve të kartelit, duke përfshirë Los Chapitos; Presidenti i SHBA Joe Biden lëshoi ​​një Urdhër Ekzekutiv për t’i dhënë autoritet Departamentit të Drejtësisë dhe ushtrisë për të ofruar burime në kufirin jugor për të luftuar trafikun e drogës përtej kufirit.

Marrëveshjet për statusin e mëparshëm të forcës

Shtetet e Bashkuara kanë hyrë prej kohësh në marrëveshje të shumta për statusin e forcave me vendet e NATO-s në Evropë, aleatët në Azi dhe zonat e konfliktit në Afrikë. Por marrëveshjet në hemisferën perëndimore dhe në Amerikë, janë shumë më pak të zakonshme.

SHBA nënshkroi marrëveshje me Kosta Rikën në 1983, Nikaraguan në 1998, El Salvadorin në 2007, Hondurasin dhe Guatemalën në 2020 sipas një analize të Zyrës së Përgjegjësive të Qeverisë të botuar në 2012 dhe Departamentit të Shtetit të SHBA. Të gjitha këto vende kanë përjetuar dhunë dhe korrupsion në lidhje me trafikun e drogës, si dhe rebelime.

Ndërkohë që nuk është e pazakontë që trupat amerikane të ndihmojnë qeveritë në kohë trazirash, rebelimesh dhe dhune; Ka qenë e rrallë të ketë personel ushtarak që lufton drejtpërdrejt me organizatat kriminale dhe grupet e trafikut të drogës. Zakonisht, ndihma në operacionet kundër narkotikëve dhe trajnimi në vendin pritës jepet. Ato gjithashtu lejojnë patrullimet detare dhe ajrore në territor nga forcat amerikane.

Në vitin 1989, ushtrisë amerikane iu dhanë aftësitë ndërkombëtare të arrestimit si pjesë e pushtimit të Panamasë për të arrestuar gjeneralin Manuel Noriega, duke hequr diktatorin nga pushteti. Ai kreu dënimin pasi u dënua në SHBA-ja për akuzat për trafik droge.

Ka pasur gjithashtu thashetheme për Forcat Speciale të SHBA-së, duke përfshirë Delta Forcën e Ushtrisë që janë përfshirë në gjuetinë ndaj Pablo Escobarit në Kolumbi në fillim të viteve 1990. Escobar kishte përdorur bankat panameze për të pastruar paratë e drogës dhe e përdori atë si bazë jashtë Kolumbisë.

Megjithatë, qeveria dhe ushtria amerikane i kanë ofruar hapur ndihmë Meksikës, Kolumbisë dhe vendeve të tjera për të luftuar trafikun e drogës, duke përfshirë ndihmën monetare, programet dhe inteligjencën e përbashkët. Si pjesë e paketave të ndihmës janë siguruar edhe mjete ushtarake dhe armë. Anëtarët e ushtrisë meksikane kanë marrë gjithashtu stërvitje nga trupat amerikane në Shtetet e Bashkuara.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderlandbeat

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani

Burimet: Washington Examiner, The Guardian, ABC Au, Freshplaza, Crenshaw, BBC, DASH, White House, Washington Post