Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti Presidentin e Parë të Parlamentit të Landtag-ut të Vjenës, Ernst Woller, qytet i cili zbaton prej vitesh projektin “AL-VET Quality For All”, për arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri.
Pjesë e këtij projekti është edhe konvikti i Shkollës së Mesme Ekonomike të Tiranës, ku Veliaj dhe Woller zhvilluan një vizitë, për të parë nga afër realizimin e tij nga Agjencia Austriake për Arsimin.
Veliaj vlerësoi kontributin e dhënë për arsimin profesional në Tiranë nga qeveria austriake.
Ai shtoi se ky investim ka rritur jo vetëm cilësinë e arsimit, por edhe sigurinë e prindërve, që i dërgojnë fëmijët në shkolla larg vendbanimit të tyre.
“Kur shikoj si është rrethuar hapësira, por edhe pastërtia dhe afërsia e konviktit me shkollen, ndihem mirë për faktin se fëmijët janë në një hapësirë të sigurt, ku ushqehen mirë, ku ka kujdestarë dhe kamera. Çdo prind ndihet i sigurt kur e sjell me besim fëmijën e tij këtu, sidomos në konvikt – se unë e kuptoj fëmijën që shkon në shkollë nga ora 8:00 deri në 13:00, por kur rri edhe natën këtu, do të thotë se ka një besim më të madh. Prandaj, shumë faleminderit për ndihmën! U jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që merren me engjëjt tanë përditë dhe sigurohen që ta kthejnë Tiranën, që është motori gjenerator kryesor i Shqipërisë, por edhe gjithë Shqipërinë, drejt punëve që kanë bereqet dhe duk”, u shpreh Veliaj.