Vendosni fjalën kyçe....

Marifeti/ Punonjësi i muzeut shkëmben pikturat e rreme me origjinalet, lekët i bën ‘rrush e kumbulla’


Një punonjës i një muzeu gjerman ndërroi një pikturë origjinale me një të rreme dhe më pas e shiti origjinalin duke i përdorur eurot për të blerë mallra luksoze, përfshirë një makinë ‘Rolls Royce’ dhe orë dore të shtrenjta, sipas një gjykate të Mynihut.

30-vjeçari, i cili mbetet i paidentifikuar për shkak të ligjeve strikte të privatësisë në Gjermani, u dënua gjithashtu për vjedhjen e tre veprave të tjera të artit. Ai shmangu burgun, por iu dha një dënim me kusht 21 muaj dhe u urdhërua t’i kthente muzeut më shumë se 60,600 euro.

Në një deklaratë për shtyp të botuar të hënën, Gjykata e Qarkut të Mynihut tha se dënimi i saj mori parasysh se burri kishte pranuar gabimin dhe kishte treguar ‘pendesë të vërtetë’.

“Ai tha se ka vepruar pa menduar”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Burri, i cili ishte punonjës i ‘Deutsches Museum’ në Mynih, punoi në menaxhimin e koleksionit nga maji 2016 deri në prill 2018.

Gjatë asaj kohe, ai vodhi pikurën “Das Märchen vom Froschkönig” (Përralla e Mbretit Bretk) nga Franz von Stuck, e zëvendësoi atë me një të rreme dhe e nxori origjinalin në ankand. Ai gënjeu një shtëpi ankandi në Mynih, duke thënë se piktura dikur i përkiste gjyshërve ose stërgjyshërve të tij. Më vonë u shit në një galeri zvicerane për 70,000 euro, dhe burri mori pothuajse 50,000 euro pas zbritjes së tarifës së ankandit.

Ai vodhi gjithashtu tre piktura të tjera nga depoja e muzeut dhe shiti me sukses dy prej tyre – “Die Weinprüfung” (Degustimi i verës) nga Eduard von Grützner dhe “Zëei Mädchen beim Holzsammeln im Gebirge” (Dy vajza që mbledhin dru në male), nga Franz von Defregger. Njëra prej veprave u shit përmes ankandit dhe tjetra u ble direkt nga shtëpia e ankandit, duke i dhënë atij 11,490 euro të tjera.

Ai i përdori paratë për të shlyer borxhet dhe për të financuar një ‘mënyrë jetese luksoze’, tha gjykata, duke shtuar: “I pandehuri shfrytëzoi paturpësisht mundësinë për të hyrë në dhomat e magazinimit dhe shiti pasuri të vlefshme kulturore për të siguruar një standard të lartë jetese për veten dhe për t’u dukur’.

Burri u përpoq gjithashtu të nxirrte në ankand pikturën tjetër të vjedhur, “Dirndl” të Franz von Defregger, në një shtëpi tjetër ankandi në Mynih, por ajo nuk u shit.

Në një deklaratë të dërguar me email për CNN, shtëpia e ankandeve ‘Ketterer Kunst’, tha se ‘thjesht nuk ishte e mundur që veprat të identifikoheshin ato si pronë e vjedhur’.

“Ne e kemi përmbushur plotësisht detyrën tonë të kujdesit dhe kemi hulumtuar gjerësisht punët e përmendura”, shtoi një zëdhënës i shtëpisë së ankandeve.

‘Deutsches Museum’ ndërkohë i tha CNN se po bën përpjekje për të rikuperuar pikturat. Në një email, një zëdhënës tha se muzeu po kërkonte të kthente shitjet dhe se një nga pikturat tashmë është gjetur.