Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria e 3-ta në Barometrin Botëror të Turizmit, Rama: Me këtë trend kapim 10 milionë turistë këtë vit


Shqipëria renditet e 3-ta në Barometrin Botëror të Turizmit për janar-korrik 2023.

Kryeministri Edi Rama publikoi të dhënat e Barometrit Botëror të Turizmit, ku vendi ynë ka pësuar një rritje në masën 56 për qind, sa i përket ardhjes së turistëve në periudhën janar korrik 2023.

Tabelën e emërtuar “Destinacionet me performancën më të mirë” e kryeson Katari, pasuar nga Arabia Saudite e më pas e ndjekur nga Shqipëria.

“Nga brigjet e diellit të rivierës shqiptare deri te bukuria historike e Gjirokastrës, ne kemi diçka për të gjithë. Për udhëtarët në mbarë botën: ejani të zbuloni perlën që është Shqipëria”, shkruan kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

Gati 1.1 milion turistë vizituan Shqipërinë në shtator.

“Nëse dhjetori do të jetë në këtë trend, ne mund të kapim 10 milion turistë këtë vit, po me siguri do të kalojmë 9, varet nga dhjetori, si do të jetë dhjetori” deklaroi kryeministri sot paradite në një takim me sipërmarrësit.

Ndërkohë të dhënat e Ministrisë së Turizmit tregojnë se pas kosovarëve, turistët italianë renditen të dytët për nga numri i vizitorëve në vendin tonë.

Rreth 660 mijë italianë e vizituan Shqipërinë nga fillimi i vitit deri në fund të gushtit, me një rritje prej 50% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Shqipëria e 3-ta në Barometrin Botëror të Turizmit për rritjen e fluksit të turistëve! 1.1 milionë vizitorë ishin vetëm në shtator