Vendosni fjalën kyçe....

Austriakët dhe çekët rivendosin kontrollet në kufirin me Sllovakinë 


Republika Çeke dhe Austria thanë të martën se po rivendosin përkohësisht kontrollet përgjatë kufijve të tyre me Sllovakinë në përpjekje për të frenuar një fluks emigrantësh.

Në njoftime të veçanta, të dy vendet thanë se masa do të hyjë në fuqi të mërkurën dhe do të mbetet në fuqi, fillimisht për 10 ditë. Ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner tha në një deklaratë shtypi të organizuar me ngut se qëllimi është të parandalohen kontrabandistët që të përdorin rrugë alternative, njoftoi Agjencia Austriake e Shtypit.

Ministri i Brendshëm çek Vit Rakusan tha se kontrollet do të na ndihmojnë të luftojmë në mënyrë efektive ‘kontrabanduesit’ e qenieve njerëzore, shkruan AP.

Policia çeke njoftoi se po planifikonte të dislokonte 130 oficerë që do të operonin përgjatë gjithë kufirit, jo vetëm në pikat kufitare zyrtare.

Kryeministri sllovak Ludovit Odor kritikoi masën çeke, duke thënë se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje në mbarë Evropën për problemin të migrantëve. Ai tha se qeveria do të reagojë ndaj lëvizjes çeke, ndoshta të mërkurën.

Gjermania njoftoi javën e kaluar se po rrit menjëherë patrullat e policisë përgjatë “rrugëve të kontrabandës” në kufirin me Poloninë dhe Republikën Çeke në një përpjekje për të parandaluar hyrjen e shumë emigrantëve.

Vendet e Bashkimit Evropian janë përballur me një rritje të ndjeshme të migracionit këtë vit nga Afrika, Siria dhe vende të tjera. Shumë emigrantë kalojnë tranzit në territorin çek ose austriak në rrugën për në Evropën Perëndimore.