Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj pret kryetarin e Bashkisë së Bolonjës: Bashkëpunim mes dy qyteteve në disa fusha


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim homologun e tij, kryetarin e Bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore, me të cilin bisedoi rreth shkëmbimit të eksperiencave mes dy qyteteve. Ai nënvizoi faktin se shumë shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë në Bolonja, tashmë kanë një histori suksesi atje dhe janë integruar mjaft mirë.

“Bolonja është një shtëpi e dytë për shumë shqiptarë. Më vjen mirë që, edhe kryetari i grupit të këshilltarëve të Bolonjës, Ditjoni, është shqiptar. Jemi në fazën ku shqiptarët janë integruar, dhe qytete si Bolonja, jo vetëm na presin me derë të hapur, por edhe me mendje e zemër të hapur. I kanë bërë shqiptarët të ndihen në shtëpi, të prodhojnë histori suksesi, disa prej tyre janë punëmarrës, disa prej tyre sipërmarrës, disa të tjerë po angazhohen në politikë. Shembulli më ideal i integrimit të një komuniteti emigrantesh është Bolonja, Italia, ku shqiptarët vërtet kanë bërë progres, edhe vërtet janë bërë pjesë e stofit të atij komuniteti”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë dha lajmin e mirë të shtimit të numrit të fluturimeve direkte, jo vetëm me Bolonjën, por me rreth 50 qytete të ndryshme të Italisë, kjo për shkak të fluksit të turistëve italianë drejt Shqipërisë dhe Tiranës.

 “Shtimi i linjave “loë cost” do ta bëjnë më të thjeshtë komunikimin mes nesh. Në vend që të na ndajë Adriatiku, është një det që na bashkon. Italia është shumë e rëndësishme për ne. 35% e bilancit tonë ekonomik janë shkëmbimet tregtare me Italinë. Është një histori e jashtëzakonshme suksesi. Por, duam që ashtu siç është në nivel shteti, të jetë edhe në nivel të dy qyteteve tona”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore tha se qyteti i tij është i interesuar të bashkëpunojë me Tiranën në fushën e arsimit, turizmit dhe transportit urban.

Tirana dhe Bolonja janë dy qytete të reja, me rëndësi për Europën dhe Mesdheun. Kemi vendosur të punojmë së bashku për çështje të ndryshme. Në Bolonjë gjendet Universiteti më i vjetër i Perëndimit dhe ka mirëpritur shumë të rinj shqiptarë. Nisur nga ky fakt, duam të shpalosim të gjithë energjinë që kemi, sa i përket kulturës, sipërmarrjes, nismave për gjelbërimin. Duam të punojmë së bashku për transportin publik, të drejtën për strehim, për promovimin e një turizmi të qëndrueshëm. Pra, mendojmë që Bolonja dhe Tirana mund të kontribuojnë shumë në këto aspekte”, përfundoi kryebashkiaku Lepore.