Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi në Veri, Abazoviç: Ndërkombëtarët të marrin përgjegjësinë e vet, pasi u paralajmëruan nga Kosova për njerëzit e rrezikshëm


Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazovic foli sot në Tiranë për ngjarjet në veri të Kosovës, qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe Tiranës zyrtare.

Abazovic deklaroi se ishte e papranueshme ajo që ndodhi në veri të Kosovës dhe se Mali i Zi përkrah qëndrimet e BE-së dhe NATO-s.

Ai theksoi se ndërkombëtarët duhet të marrin përgjegjësinë e vet pas paralajmërimeve nga Kosova se atje ndodhen njerëz të rrezikshëm.

“Unë mendoj se hetimi që do të realizohet do të tregojë të vërtetën. Ishte fare e papranueshme kjo që ka ndodhur në Veriun e Kosovës. Mali i Zi përkrah qëndrimet e BE-së dhe NATO-s. Kushdo që ka krijuar atë lloj konflikti, atë lloj vrasjen e njerëzve, duhet të përgjigjet. Unë e pres hetimin dhe nga autoritetet e Kosovës dhe nga autoritetet e Serbisë dhe nga ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët nuk mund të lajnë duart para kësaj pune sepse ka pasur shumë paralajmërime nga ana e Kosovës se atje gjenden njerëz të rrezikshëm. Pra, dhe ndërkombëtarët duhet të marrin përgjegjësinë e vet”, deklaroi Abazoviç.

I pyetur nëse mendon se veriu i Kosovës është tokë e askujt, Abazovic tha: “Mali i Zi e ka njohur Kosovën në kufijtë dhe për ne nuk ekzistojnë vende të cilat janë ekstraterritoriale. Dakord jemi me praninë e KFOR-it, por dihet cilët janë kufijtë e shteteve në Ballkanin Perëndimor”.

Lidhur me propozimin e kryeministrit Edi Rama që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës, ai deklaroi se veprimet e Ramës janë vetëm për bashkëpunimin dhe paqen në rajon.

“Nuk kam një qëndrim për praninë e KFOR, po duhet të them atë që jam i bindur që ditën e parë që kemi filluar bashkëpunimin me z. Rama, se veprimet e tij, përkushtimi i tij shkojnë vetëm në drejtim të modalitetit për paqe dhe progres. Nuk jam ai që do bëjë kritika ndaj Ramës, pasi jam i bindur se çdo veprim i tij shkon në drejtim vetëm, si të kemi një rajon ku ka me qenë fokusi më shumë në bashkëpunim dhe paqe.

Ne jemi një shtet i cili është i gatshëm për bashkëpunim rajonal. Çdo iniciativë ku mund të jepet kontribut për ne është e pranueshme”, tha ai.

Për autorët e sulmit në Kosovë, Abazovic theksoi se nacionalizmi në trevat e Ballkanit është krijuar prej kriminelëve.

“Ata që merren me trafik, kontrabandë. Lufta kundër grupeve kriminale në të gjithë Ballkanin do të sjellë begati dhe ulje të tensioneve në çdo vend të rajonit. Këta njerëz që kanë marrë pjesë në këtë akt mendoj se duhet të ballafaqohen me një dënim shumë të rëndë”, u shpreh Abazovic.

Sa i përket kritikave ndaj dy ndërmjetësve në dialogun Kosovë-Serbi, Lajcak apo Borrell, ai tha se nuk do të flasë më shumë për ndërkombëtarët, por se “politika e tyre nuk ishte fort efikase dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me atë që ka ndodhur para pak ditësh në Kosovë, por në kontinuinitet, me Bosnjën në 1995, në 1999. Duhet të jenë më të qartë për qëllimin përfundimtar. Kështu kemi deklarata të ndryshme nga njerëz të ndryshëm”.