Deri më tani raportohet të kenë humbur jetën si pasojë e sulmit rreth 22 civilë të pafajshëm, janë plagosur 545 njerëz si dhe raportohet se janë marrë peng rreth 33 persona.
Ndërkohë, krahas sulmit, situata duket e ndërlikuar edhe për izraelitët në kufi, si dhe forcat mbrojtëse atje, të cilët thuhet se janë rrëmbyer nga grupi i Hamasit e ndoshta edhe janë futur në Gaza.
Ndaj Izraeli, shkruan BBC, gjendet përballë dy mundësive, ose të dërgojë një mision shpëtimi ose të presë për negociata. Të dy opsionet paraqesin mjaft rrezik.
Dyshimet për pengjet u përforcuan ndërsa një prej ushtarakëve të Hamasit, Brigadat Qassim, publikoi një video që tregon të paktën tre burra me rroba civile duke u mbajtur rob nga militantët, teksa pretendonte se treshja janë ushtarë izraelitë.
Videoja, e parë e hedhur në rrjetet sociale, pretendon se robërit janë “armiq” të kapur gjatë ofensivës.
Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrel denoncoi raportimin për marrjen peng të civilëve, ndërsa e quajti këtë akt si shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe kërkoi lirimin e tyre.
“Lajmi për marrjen peng të civilëve në Gaza është i tmerrshëm. Kjo është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Pengjet duhet të lirohen menjëherë. Po ndjek me ankth lajmet që vijnë nga Izrael. Dënoj pa mëdyshje sulmet e Hamasit. Kjo dhunë e tmerrshme duhet të ndalet menjëherë. Terrorizmi dhe dhuna nuk zgjidhin asgjë”, shkruan Borrel.
Xhihadi Islamik, i cili vepron në Gaza, pretendon se luftëtarët e tij kanë kapur gjithashtu “shumë” ushtarë izraelitë. Në një postim në Telegram, një zëdhënës që e quan veten Abu Hamza thotë:
“Ne konfirmojmë nga Brigadat e Al-Quds se tani, falë Zotit, zotërojmë shumë ushtarë sionistë që janë të burgosur në duart tona.”
Xhihadi Islamik është një nga disa grupe militante që operojnë në Gaza. Grupi bashkëpunon me Hamasin, por gjithashtu ruan pavarësinë e tij, përcjell BBC.