Kazakistani mund të ndalojë mbajtjen e shamive islamike në publik, tha ministrja e Kulturës dhe Informacionit Aida Balayeva gjatë një konference për shtyp në Astana të premten.
Balayeva tha se autoritetet do rishikojnë dhe përditësojnë ligjet në fuqi, të cilat ajo tha se nuk ofrojnë mjete të mjaftueshme për të trajtuar ekstremizmin fetar dhe ‘lëvizjet fetare jo tradicionale’.
“Ligjet ekzistuese nuk përmbajnë as termin ‘kulte fetare shkatërruese”, tha ajo, cituar nga agjencia e lajmeve Kazinform.
E pyetur nëse qeveria do ndalonte mbajtjen e shamive islame dhe veshjeve të tjera fetare, Balayeva u përgjigj: “Ne patjetër do shqyrtojmë dhe propozojmë norma të tilla, të paktën për hapësirat publike. Rregullore të tilla praktikohen në të gjithë botën sepse është çështje e sigurisë kombëtare. Është shumë e vështirë të identifikohen njerëzit në hapësirat publike ku fytyrat janë të mbuluara.”
“Ministria do punojë në shtrëngimin e rregulloreve në këtë fushë”, shtoi Balayeva. Ministri tha se masat do hartohen në këshillim me OJQ-të dhe ekspertët, duke përfshirë studiues fetarë.
Duke folur para një grupi mësuesish të enjten, presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev theksoi rëndësinë e sekularizmit të sanksionuar në kushtetutën e vendit.
“Ky parim duhet të respektohet rreptësisht në të gjitha sferat, duke përfshirë arsimin,” tha ai.
Rreth 65% e banorëve të Kazakistanit janë myslimanë dhe 20% janë të krishterë ortodoksë, sipas regjistrimit të vitit 2021.
Debatet mbi veshjet fetare janë ngritur në disa vende vitet e fundit, duke përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë. Muajin e kaluar, gjykata e lartë e Francës la në fuqi një ndalim të abayas, një veshje e ngjashme me rrobën islame e veshur nga grate në shkolla.